- 24 Dec 2014
Sot, Drejtoria e Inspektoriatit ka intervenuar në rrugën “Agim Ramadani”, për shkak të problemeve me kanalizim të banesave që ndodhen përballë “Fakultetit të Edukimit’
Pas ankesave të qytetarëve dhe vizitës së inspektorëve, u konstatua një gjendje jashtëzakonisht e rënduar e bodrumeve të këtyre banesave.
Me këtë rast, drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla deklaroi se janë mobilizuar të gjithë akterët për të intervenuar dhe që ta zgjidhin menjëherë këtë problem.
“Është kontaktuar kompania regjionale “Ujësjellësi”, Drejtoria e Infrastrukturës Lokale si dhe janë aktivizuar të gjithë sektorët e drejtorisë së inspektoratit, ndërsa sektori sanitar ka bërë raportin e kësaj gjendje, duke e klasifikuar si rast alarmant, andaj kërkuan nga të gjitha palët që të intervenojnë me urgjencë. Puna ka filluar, ndërsa ne shpresojmë se kjo urgjencë do të zgjidhet gjatë ditës së sotme”, tha drejtori Sveçla.
Sveçla, gjithashtu, tha se zgjidhja e përhershme e problemit të kanalizimit në këtë lagje është e përfshirë në projektet e përbashkëta të Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, si dhe ujësjellësit rajonal “Kur Prishtina”.