- 08 May 2020
Përgjatë periudhës që po përballemi me pandeminë, Ecolog International vjen me donacion për nxënësit që vijnë nga familjet në nevojë. Siç dihet tashmë, ndër masat për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19 erdhi dhe ndërprerja e mësimit në shkolla për të kaluar në formën e mësimit online. Kalimi i mësimit në këtë formë ua bëri të pamundur ndjekjen e mësimit shumë nxënësve që u mungonin pajisjet adekuate teknologjike e që familjet e tyre nuk ishin në gjendje t’ua siguronin këto.
Ky donacion u dorëzua fillimisht në Prishtinë, dhe në kordinim me kryetarin z. Shpend Ahmeti është projektuar një shpërndarje edhe për dhjetra komuna të tjera të Kosovës, të cilat do të vizitohen gjatë ditëve në vazhdim nga përfaqësues të kompanisë Ecolog.
Filantropi Lazim Destani e çmoi dhe i falënderoi institucionet shtetërore për mbështetjen e ofruar. Sa i përket natyrës së donacionit ai tha:
“Arsimi dhe shkenca janë pistonët kryesorë të një shoqërie, investimet dhe mbështetjet e këtyre segmenteve janë mbështetja më e madhe që mund t’i bësh një kombi. Andaj vendosëm që këtë donacion t’ua dedikojmë nxënësve që për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme teknologjike mbetën jashtë procesit arsimor. Digjitalizimi është gjithashtu një proces i pashmangshëm i një shoqërie, andaj edhe donacionin e shohim me kuptim afatgjatë”.
#rriNshpi