Vendim i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti lidhur me përdorimin e produkteve piroteknike

- 27 Dec 2014

Me qëllim të ruajtjes së mjedisit dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve nga dëmet që mund të shkaktojnë produktet piroteknike, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me datë 26.12.2014, ka marrë vendim për “Ndalimin e produkteve piroteknike në sheshet “Ibrahim Rugova”, “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti.

Me këtë vendim, ndalohet përdorimi i produkteve piroteknike prej datës 30 dhjetor 2014 deri më datën 3 janar 2015, me qëllim që të mbrohet shëndeti i qytetarëve, pasi që këto pjesë të kryeqytetit janë më të frekuentuara, ndërsa mjetet piroteknike janë të dëmshme veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna.

Kjo ndalesë vlen vetëm për hapësirën që gjendet brenda sheshit “Ibrahim Rugova”, “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti”.

Ndaj personave që do të përdorin produkte piroteknike në hapësirën e tre shesheve do të shqiptohet gjoba në vlerë prej 100 Euro, nga inspektorët e Drejtorisë së Inspekcionit.

Numrat i Inspektoratit ku qytetarët mund të lajmërohen për çfarëdo lloj parregullsie janë: 038 245 666 dhe 038 245 777

Produktet Piroteknike - çdo produkt që përmban substancë apo përzierje të substancave të dizajnuara që lirojnë nxehtësi,dritë, zhurmë, gaz, tym apo kombinimi i tyre sjellë efekte përmes reaksioneve kimike, ekzotermike të vetë qëndrueshme për zbavitje dhe qëllime të tjera të cilat emërtohen si fishekzjarrë.