- 28 Dec 2014
Komuna e Prishtinës njofton se pas reshjeve të fundit të borës, të gjitha rrugët kryesore janë të pastruara nga kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit dhe viseve rurale.
Rrugët kryesore të qytetit që janë nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës janë të kalueshme dhe po mirëmbahen që nga mëngjesi.
Ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit si dhe Drejtorisë së Inspekcionit janë në terren, të gatshme për të intervenuar në çdo kërkesë të qytetarëve. Aktualisht, janë duke u pastruar edhe rrugët dytësore të kryeqytetit.
Rrugët e qytetit janë të ndara në katër grupe. Janë përzgjedhur katër kompani për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror. Kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve në kryeqytet janë “Zahiri”, “Toifor”, “Euro Partners dhe Alko Impex”. Këto kompani janë të kontraktuara t’i mirëmbajnë gjithsej 310 rrugë të qytetit. Ndërsa, për mirëmbajtjen e rrugëve në viset rurale të Komunës së Prishtinës, janë të kontraktuara dy kompani, “VZ kompani” dhe “Dardania”. Të gjitha këto kompani sipas kontratës, e kanë për detyrë të bëjnë heqjen e borës, pastrimin e rrugëve dhe trotuareve, hedhjen e kripës sipas nevojës, pastrimin e ngricave si dhe të gjitha problemet e tjera që i sjellë stina e dimrit.
Lusim të gjithë të gjithë shoferët që të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes si dhe mos të dalin në komunikacion pa pajisjet dimërore.