U mbajt mbledhja e X e Kuvendit Komunal të Prishtinës

- 29 Dec 2014

Sot, Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajt mbledhjen e X me radhë

Pas miratimit të ekstraktit të procesverbalit, si dhe të propozimit të planit vjetor të punës së Kuvendit për vitin 2015, gjithashtu, u kërkua që të ndryshohet rregullorja e punës së Kuvendit, me qëllim që pikat “pyetje dhe përgjigje”, si dhe “të ndryshme”, mos të mbeten përherë në fund të rendit të ditës. Në këtë mbledhje, u miratuan edhe propozimvendimi për ndryshimin e vendimit për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, si dhe propozimvendimi për caktimin e anëtarëve të Komisionit për hapjen e kutive të ankesave.

Debate të shumta ngjalli propozimi për vënien në diskutim publik të Rregullores për kushtet e mbajtjes së qenve dhe maceve dhe mënyrën e veprimit në rast të braktisjes ose humbjes së tyre.

Lidhur me këtë propozim, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se që në muajin shtator, ai ka kërkuar në Kuvend një diskutim për qentë endacak. Ahmeti tha se pas që ka kërkuar mendimin e Kuvendit, është vendosur që kjo çështje të diskutohet në Komitetin për Shërbime Publike gjë që ekzekutivi e ka bërë.

“Kemi pasur diskutimin për qentë endacak, aty është kërkuar me sugjerim timin që këtë ta dërgoj si kërkesë në Ministri dhe e kemi bërë planin e veprimit. Po ashtu, kam sugjeruar që ta dërgojmë edhe në komunat e tjera të Republikës së Kosovës në mënyrë që kjo çështje të trajtohet njëjtë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Këtë çështje e kam ngritur edhe në Asociacionin e Komunave të Republikës së Kosovës, ata janë pajtuar, ndërsa kryetari i asociacionit Naimi Ismajli ka kërkuar një draft rregullore në mënyrë që të fillojë puna".

Sipas kompetencave që ia garanton ligji, kryetari Ahmeti tha se ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme lidhur me këtë çështje, pasi që një situatë e tillë paraqet rrezik për qytetarët dhe sigurinë publike me qëllim që të zgjerohen kompetencat për veprim të shpejtë.

“Tani më vlerësojmë se në këtë periudhë të dimrit, duke marrë parasysh incidentet e fundit dhe numrin e qenve endacak, ne do ta shpallim këtë gjendje emergjente dhe tashmë e kemi themeluar Komitetin e Krizës, i cili përfshinë Policinë e Kosovës, FSK – në, Agjencionin Veterinarisë dhe të Ushqimit të Kosovës, si dhe përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, në mënyrë që të bëjmë një plan operativ dhe ta përpilojmë hartën e rrezikut duke e identifikuar vendodhjen e qenve endacak. Më pas do t’i trajtojmë ata, si dhe do t’i pastrojmë deponitë ilegale ku mblidhen qentë”, tha Ahmeti.
Kjo tha Ahmeti, ndërmerren si veprim me qëllim të parandalimit të incidenteve eventuale.

Mirëpo, kjo pikë e rendit të ditës u kundërshtua nga asambleistët e LDK – së dhe PDK – së me pretekstin se është një propozim gjysmak që nuk e pasqyron realitetin, pavarësisht se pika e rendit të ditës përfshinte hapjen e diskutimeve publike dhe plotësimin rregullores, deri në miratimin e saj final. Si përfundim, u vendos që deri me datë 15 janar të vitit 2015, të dërgohen komente lidhur me rregulloren e cila është përgatitur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, respektivisht të gjitha zyrat ligjore të të gjitha Komunave të Kosovës.
Ahmeti i paralajmëroi asambleistët të cilët kundërshtuan që kjo rregullore të diskutohet me qytetarët, se një veprim i tillë është tejet i dëmshëm dhe i rrezikshëm dhe se nuk mund t’i ikë askush përgjegjësisë për vendime të tilla.

Ndasitë midis pozitës dhe partive opozitare LDK dhe PDK u bënë edhe më të thella kur u diskutua pika e gjashtë e e rendit të ditës, propozim rregullorja për kriteret e planifikimit të kushteve të propozuara ndërtimore, e cila sic tha drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Liburn Aliu, bazohet në ligjin e ndërtimit dhe në udhëzimet administrative të dala nga ligji, si dhe në ligjin e kadastrit.

“Meqenëse sipas ligjit të ndërtimit nëpër zonat ku nuk ka plane rregulluese, jemi të obliguar të japim leje ndërtimore dhe kjo rregulloret përmes një procedure të ndërmjetme që njihet si “kushtet ndërtimore”, udhëzimi administrativ i sqaron pjesërisht, e jo plotësisht, kushtet ndërtimore”, tha Aliu, sipas të cilit, qëllimi i hartimit të kësaj rregulloreje është lehtësimi i procedurave për kushte ndërtimore dhe rregullimi i parcelave kadastrale, sipas ligjeve në fuqi. Ai u shpreh se me këtë rregullore do të parashihej edhe parcializimi i tokës, bashkimi i parcelave etj, kërkesa këto të përditshme të banorëve të Komunës së Prishtinës, në zonat që ndodhen jashtë planeve rregulluese, ndërsa janë në brendësi të zonës urbane.

“Duke pasur parasysh problemet e shkaktuara në mënyrën se siç kanë ndodhur deri me tash percelizimi i pronave, e kemi të domosdoshme që ta kemi këtë rregullore që të na lehtësojë procedurën e dhënies së pëlqimeve për parcelim”, tha Aliu.

Mirëpo, kjo propozim rregullore hasi në kundërshti të ashpra grupit të asambleistëve të LDK’së të cilët të përkrahur dhe në një linjë me asambleistët e PDK’së, pretendonin se një rregullore e tij është e kundërligjshme, ndërsa nuk ofronin asnjë argument për një pretendim të tillë, pavarësisht se ligjshmëria e një rregulloreje është kompetencë e nivelit qendror. Në fund të këtij diskutimi, 23 asambleistë votuan pro rregullores, 23 kundër, ndërsa 1 abstenoi. Në rrethana të tilla, siç parashihet me rregulloren e kuvendit, Kryetari i Kuvendit Halim Halimi, e përdori votën e tij të dyfishtë, kundër kësaj rregulloreje.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe propozimrregullorja për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshëm, si dhe propozimvendimi për caktimin e lokacionit për vendosjen e trafos në fshatin Drenoc, të cilat u miratuan nga Kuvendi Komunal.