- 29 Dec 2014
Komuna e Prishtinës njofton se pas reshjeve të fundit të borës, ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit si dhe Drejtorisë së Inspekcionit janë në terren, të gatshme për të intervenuar në çdo kërkesë të qytetarëve.
Të ballafaquar me një rëndim të situatës për shkak të përkeqësimit të motit, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Inspekcionit kanë mobilizuar të gjitha kapacitetet e tyre për të asistuar në pastrimin sa më të shpejtë të rrugëve të Prishtinës, por edhe të rrugëve lidhëse të fshatrave të Komunës së Prishtinës.
Njëkohësisht, informojmë opinionin publik se nuk janë të rralla rastet kur kemi probleme edhe me disa me kompanitë e kontraktuara si rezultat i mungesës së kapaciteteve së tyre, mirëpo edhe për shkak në mos seriozitetit të tyre në raste të caktuara.
Si masë emergjente, çdo makinerie të angazhuar për pastrimin e borës, Komuna e Prishtinës i ka bashkëngjitur edhe nga një ekip të inspektoratit, të cilët e kanë për detyrë jo vetëm mbikëqyrjen e pastrimin në përgjithësi, por edhe inspektimin e punës së secilës makineri të këtyre kompanive.
Edhe pse kontratat e lidhura me këto kompani janë kontrata kornizë të nënshkruara para dy viteve, Komuna e Prishtinës javën e kaluar ka verifikuar gjendjen e makinerisë dhe sasinë e kripës që kanë në dispozicion këta operatorë, por pas reshjeve te fundit te bores, kompanitë nuk i kane futur në përdorim, e në disa raste nuk i posedojnë kapacitetet të cilat i kanë deklaruar kur kanë aplikuar në tenderët për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Njëkohësisht, janë identifikuar edhe raste kur disa kompani nuk e kanë vullnetin e duhur për ta tejkaluar këtë situatë pothuajse emergjente me qëllim të lehtësimit të vështirësive të qytetarëve në qarkullim.
Komuna e Prishtinës, sipas informatave të deritanishme nga terreni, njofton se deri më tani nuk ka informata për rrugë të pakalueshme, por ka rrugë të caktuara në të cilat është vështirësuar qarkullimi, posaçërisht në ato zona ku pjerrtësia e rrugëve është më e madhe.
Njëkohësisht, njoftojmë banorët e Prishtinës së Komuna në vazhdimësi është duke u koordinuar me Policinë e Kosovës, ndërsa shqetësues mbetet fakti se në komunikacion marrin pjesë shumë makina që nuk i kanë pajisjet dimërore.
Sapo të kemi raportin e inspektorëve, si dhe në të njëjtën kohë duke marrë parasysh edhe ankesat e qytetarëve dhe të Policisë së Kosovës, Komuna e Prishtinës do të bëjë vlerësimin e punës së deritashme të secilës kompani veç e veç. Në momentin që do të dokumentohen shkelje serioze të obligimeve që janë të parapara me kontratë, atëherë do të ndërmerren të gjitha masat ligjore, duke përfshirë edhe shkëputjen e kontratës me kompanitë që nuk kanë qenë në nivel të kryerjes së punës së tyre.
Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar që qytetarëve t’ju ofrojmë kushte që ua mundësojnë atyre qarkullimin në këtë mot, si dhe do ta shtojmë angazhimin tonë për tejkalimin e këtyre vështirësive. Andaj, në rast se do të ketë zëvendësimit të ndonjë kompanie që eventualisht mund t’i shkëputet kontratat për shkak të mospërmbushjes së obligimeve, atëherë mund t’i shtohet territori ose përgjegjësia kompanive të tjera, si dhe do të shfrytëzohen edhe kapacitetet e kompanisë publike “Hortikultura”.
Njëkohësisht, lusim të gjithë shoferët që të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes si dhe mos të dalin në komunikacion pa pajisjet dimërore.