Mbyllen gjashtë bastore - kazino të jashtëligjshme në Prishtinë

- 06 Jan 2015

Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, (ATK), Doganat e Kosovës dhe Policinë e Kosovës në kuadër të aksionit për kontrollimin e objekteve që e ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit, sot ka mbyllur gjashtë bastore – kazino që ndodhen në lagjen “Kalabria”, tek “Banesat e Arabëve”.

Ky veprim është ndërmarrë pasi që veprimtari
​a​ e kazinove – bastoreve është e kundërligjshme në këto lokacione, sipas ligjit për lojërat e fatit.

Njëkohësisht, janë evidentuar edhe raste kur pronarë të këtyre bastoreve – kazinove kanë tentuar ta largojnë shenjat zyrtare më të cilat u është ndaluar kjo veprimtari. Ndaj të njëjtëve, është proceduar fletëparaqitja në gjykatë, si vepër penale.

Komuna e Prishtinës njofton opinionin se aksione të tilla do të vazhdojnë me intensitet të shtuar, deri në zbatimin e përpiktë të ligjit, ndërsa, njëkohësisht, janë duke u vëzhguar të gjitha bastoret – kazinot e mbyllura deri më tani.