- 12 Jan 2015
Në kuadër të aktivitetit “Dita e Legalizimit”, sot kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti së bashku me ministrin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Ferid Agani vizituan pikat informuese për qytetarë që janë të vendosura në sheshet kryesore të Prishtinës.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se për kryeqendrën ky do të jetë një prej proceseve më të rëndësishme që do të realizohet në tre vitet e ardhshme pasi që, siç tha ai, në Prishtinë ekzistojnë deri në 15 mijë ndërtime pa leje, apo 25 mijë njësi banesore.
“Datat që duhet t’i mbajnë në mend të gjithë qytetarët është se me datë 5 shkurt të vitit 2015 përfundon regjistrimi i ndërtimeve pa leje, ndërsa më 11 mars publikohet lista e të gjitha ndërtimeve pa leje. Të gjithë ata qytetarë që nuk e gjejnë vetën në listë, e kanë ne dispozicion edhe periudhën e ankesës dhe në shtator të vitit 2015 fillon periudha e aplikimit për legalizim, e cila do të përfundojë në muajin mars të vitit të ardhshëm (2016). Në vitin 2017 e shfuqizojmë ligjin. Pra, ky është një rast i mirë për të gjithë qytetarët që kanë ndërtuar gjatë 14 viteve të fundit, por edhe më herët, dhe që mendojnë se banimi i tyre apo ndërtimi i tyre është në përputhje me planet rregullative”, tha Ahmeti.
Ai tha se çdo objekt që nuk futet në listën e ndërtimeve pa leje, me automatizëm do të hyjë në listën e rrënimit dhe më pas nuk ka mundësi që të del nga ajo listë.
Ndërsa, ministri Fehmi Agani u shpreh se kjo është fushatë informuese për qytetarët e Republikës së Kosovës përkitazi me legalizimin e objekteve pa leje në shtetin tonë.
“Legalizimi e nënkupton korrigjimin ligjor të gabimeve të bëra në periudhën e kaluar 15 vjeçare. Pra, tejkalimi i një gjendje të palejueshme dhe jo të ligjshme të objekteve të cilat ekzistojnë në sipërfaqen e Republikës së Kosovës dhe sjellja e tyre brenda një kornize ligjore. Prandaj, mendojë se janë gjetur zgjidhje të mira ligjore që e mundësojnë një proces dinamik, një proces i cili në masë të madhe varet nga vetëdija e qytetarëve”, tha ministri Agani i cili apeloi deri tek qytetarët që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur që t’i regjistrojnë objektet pa leje, para datës 5 shkurt 2014.
Agani tha se tashmë ndodhemi në prag të përfundimit të periudhës ligjore kur të gjitha objektet e ndërtuara pa leje në Kosovë duhet të regjistrohen në zyrat përkatëse në Komunat e Kosovës dhe më pas të përpilohet regjistri shtetëror i këtyre ndërtimeve.
Ky proces është pa pagesë dhe është shumë e rëndësishme që të shfrytëzohet kjo periudhë kohore. Objektet janë të ndara në tri kategori dhe sipas kategorive të caktuara do të bëhet edhe legalizimi i tyre pas procedurës së regjistrimit.
Sipas kryetarit Ahmeti, në procesin e legalizimit do të aplikohet tarifa e administratës dhe e dendësisë së infrastrukturës, ndërsa tarifa e infrastrukturës do të hiqet nga kombinimi. Por, të gjitha këto specifikime do të konkretizohen midis ministrisë komunave, për shkak se komuna të caktuara kanë tarifa të ndryshme të ndërtimeve.
Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr.04/L-188 për trajtimin e ndërtimeve pa leje është krijuar mundësia për trajtimin e këtyre objekteve në tërë territorin e Republikës se Kosovës.