- 14 Jan 2015
Sot, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe udhëheqësi i grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! Ylli Hoxha, mbajtën konferencë për media me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me zhvillimet e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal.
“Javën e kaluar pas disa vendimeve që kemi marrë, në njërën prej ndërmarrjeve publike lokale “Pastrimi” për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv dhe më herët për shkarkimin e bordit, siç duket kjo ka qenë arsyeja kryesore në interesa familjare dhe personale të disa prej asambleistëve dhe njerëzve që kanë qenë në pronësi të këtyre ndërmarrjeve publike lokale. Ne i kemi trashëguar 7 ndërmarrje publike lokale duke filluar prej ndërmarrjes “Pastrimit” ku borxhi është mbi 1.5 milionë euro. Kjo kompani i ka borxh edhe shtetit në taksa, edhe deponisë dhe në çdo fillimmuaj deponia në Mirash na i mbyllë dyert për shkak të mospagesës së borxheve dhe në të njëjtën kohë as mbledhja e mbeturinave nuk është duke u bërë në mënyrë efikase, pa përmendur faktin se ne tani do të thërrasim edhe policinë e krimeve ekonomike për të hetuar të gjitha krimet ekonomike që janë bërë në këtë ndërmarrje. Kemi trashëguar ndërmarrjen “Trafiku Urban” me mbi 1.5 euro borxh ku rreth 22 muaj nuk u janë paguar pagat punëtorëve, me ç’rast ne jemi në një projekt me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvilllim për një kredi në vlerë të 10 milionë eurove, ndërsa një prej kërkesave të tyre është që të ndërrojmë menaxhmentin e kompanisë dhe ta ndërrojmë tërësisht kompaninë, dhe aty gjithashtu e kemi shkarkuar bordin. Kemi trashëguar ndërmarrjen publike “Termokos – i”, edhe ajo me humbje duke funksionuar me subvencione ku nga donatorët gjerman na është thënë se nëse nuk ndërron funksionimi i organizatës të ndërmarrjes, menaxhmenti, atëherë vështirë së mund të tërhiqen fonde të tjera. Ndërmarrja Publike Banesore nga të hyrat prej 7 milionë euro kanë kaluar në 4 milionë euro dhe është në rënie të lirë dhe ndërmarrjet e tjera publike komunale të cilat i kemi përmendur, të cilat kanë qenë në gjendje shumë të rëndë”, tha Ahmeti në fillim të kësaj konference.
Sipas tij, kjo ka qenë edhe arsyeja se pse janë ndërmarrë masa dhe janë shkarkuar edhe familjarë të personave të caktuar, gjë që ka prekur në interesa ngaqë këto ndërmarrje kanë funksionuar si ndërmarrje publike familjare, e jo si ndërmarrje komunale në interes të qytetarëve.
Ahmeti sqaroi se është thirrur një mbledhje e jashtëzakonshme javën e kaluar ku grupi parlamentar i LDK’së, në krye me Sami Hamitin, të cilët kanë kërkuar që të mbahet një mbledhje ku do të vlerësohet puna e aksionarëve.
“Gjatë këtyre ditëve, me ligj kërkohet që brenda 3 ditëve të mbahet mbledhja, Sami Hamiti dhe të tjerët kanë bërë presion të jashtëzakonshëm tek asambleistët e tjerë, gjithmonë në tentim të sigurimit të votës. Është krijuar një tension i pashpjegueshëm gjatë ditëve të fundit për të ardhur sot në mbledhje. Sot në mbledhje të jashtëzakonshme, pavarësisht se nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme, kërkuan që të raportojnë aksionarët për punën e ndërmarrjeve komunale. Ligji për ndërmarrjet publike e specifikon, neni 8, paragrafi 2, që komitetet e aksionarëve raportojnë në baza vjetore. Në mbledhjen e fundit, Kuvendi Komunal, ka vendosur që ky raportim të bëhet në muajin mars të vitit 2015, por në të njëjtën kohë nuk e pamë të arsyeshme që të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme për ta bërë një kërkesë për të raportuar sepse këtë kanë mundur ta bëjnë edhe më një kërkesë të thjeshtë. Në mbledhje, pasi që u thanë shumë gjëra, ne në fund u dakorduam që në mbledhjen e parë të raportohet mbi veprimet e fundit që i kanë ndërmarrë komitetet e aksionarëve dhe pastaj të diskutohet. Në minutën e fundit, kryesuesi i kuvendit, Halim Halimi, tha të votojmë për raportim dhe pezullim të vendimeve, tash e tutje deri në mbledhjen e ardhshme, pikë e cila nuk u diskutua fare dhe aty u shkaktua një rrëmujë sepse dolën nga salla të gjithë ata që kishin kundërshtime ose nuk donin të votonin dhe përveç faktit se në mbledhje të jashtëzakonshme nuk guxon të ndryshohet rendi i ditës, nuk guxon të propozohet diçka si mocion që nuk ka qenë që në fillim të mbledhjes së jashtëzakonshme, natyrisht se ky veprim përpos që nuk kishte kuorum, njëkohësisht është edhe veprim i jashtëligjshëm”, deklaroi Ahmeti.
Sipas kryetarit Ahmeti, është duke u ndërtuar një komunë ndryshe, jo e “sami hamitëve”, por e qytetarëve të Prishtinës, ngaqë siç u shpreh ai, është koha e fundit që ndërmarrjet familjare të kthehen në ndërmarrje publike komunale në interes të qytetarëve. Sipas tij, reformat janë në ndërmarrjet publike lokale janë të domosdoshme, njëjtë siç i kemi filluar në administratën e Komunës së Prishtinës. Andaj, siç u shpreh i pari i Komunës së Prishtinës, është e rëndësishme edhe për qytetarët e Prishtinës që të dalin në mbrojtje të këtyte ndërmarrjeve sepse ato iu takojnë qytetarëve të Prishtinës, sepse ato nuk janë të asnjë politikani, e posaçërisht jo të atyre që e kanë shkatërruar Prishtinën dhe e kanë degraduar gjatë viteve të fundit.
Ndërsa asamblisti Ylli Hoxha tha se seanca e sotshme ka qenë një komplot i parapërgatitur nga Sami Hamiti për të penguar reformën e domosdoshme në ndërmarrjet publike. Sipas tij, një komplot i tillë është organizuar në një mënyrë të tillë, gjysmëmafioze me presione, shantazhe dhe kërcënime ndaj asambleistëve, si dhe me manipulime brenda seancës.
“Të paaftë për të siguruar shumicën e votave në seancën e sotshme, kryesuesi i Kuvendit Komunal e transformoi debatin i cili kishte të bënte me raportimin, për të cilën gjë ishim të gjithë dakord që të vazhdojë në seancat e ardhshme, e shndërroi në kërkesë për pezullim që nuk ishte reflektim i kërkesës fillestare e askujt që ndodhej në sallë. Konsiderojë se Sami Hamiti sot ka dështuar sepse në plan e ka pasur marrjen e ndërmarrjeve publike nga ana LDK’së dhe përkrahësve të tjerë. Sot është shënuar dështimi i Sami Hamitit për të dytën herë në çështjen e ndërmarrjeve publike”, tha Hoxha.
Sipas Hoxhës, Hamiti është munduar që jashtëligjshëm ta kontrabandojë termin pezullim i cili nuk ekziston ligjërisht dhe as si mundësi për të ndalur veprimin e ndërmarrjeve publike, për më shumë, sic u shpreh ai, votimi brenda sallës ka qenë prej 25 asambleistëve që nuk e përbën kuorumin e domosdoshëm. Ai u shpreh se kryesuesi qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të grupit të lëvizjes Vetëvendosje! ka dështuar ta bëjë në seancën e sotshme që të ketë kuorumin duke e transformuar kërkesën fillestare të raportimit në një kërkesë krejtësisht tjetër duke tentuar që t’i vë në lajthitje asambleistët që ishin prezent për të nënshkruar diçka që nuk ishte as reflektim i debatit e as figuronte në kërkesën për seancën e jashtëzakonshme.
Lidhur me këtë veprim të kryesuesit të Kuvendit Komunal, Halim Halimi, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se në të ardhmen do të rishikohet mundësia që të kërkohet edhe shkarkimi i kryetarit të Kuvendit Komunal nëse ai në vazhdimësi do të jetë në mbrojtje të interesave të subjektit të tij politik, e jo në shërbim të interesit të përgjithshëm.