- 16 Jan 2015
Sot, kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti priti në takim Përfaqësuesin Special të Unionit Evropian në Republikën e Kosovës, z.Samuel Zhbogar
Pas këtij takimi, kryetari Ahmeti tha se me përfaqësuesin e Komisionit Evropian në Kosovë, z. Samuel Zhbogar kanë diskutuar në përgjithësi për zhvillimet e fundit politike në vend, duke përfshirë edhe relacionet që Komuna e Prishtinës i ka me Qeverinë e Republikës së Kosovës sa i përket projekteve të përbashkëta.
Me këtë rast, kryetari Ahmeti tha se së shpejti, nga muaji shkurt, do të vihet në funksion pallati i drejtësisë, i cili është një prej projekteve më të mëdha të financuara nga Komisioni Evropian.
“ Me këtë rast kanë qenë kërkesat e Komisionit Evropian që të funkcionalizojmë edhe rrugën edhe transportin publik, si dhe probleme të tjera që ndërlidhen me infrastrukturën. Mendojë se me kalimin e sistemit gjyqësor në këtë objekt, do të lirohet edhe një pjesë të madhe e qendrës së Prishtinës. Po ashtu, diskutuam për projektet e përbashkëta dhe financimin që Komisioni Evropian e bën në projektet e Prishtinës, duke përfshirë këtu edhe ndihmën që e kanë dhënë për “Termokos – in”, ngaqë projekti i koogjenerimit nuk do të ishte i mundshëm pa ndihmën e Komisionit Evropian. Kemi diskutuar për mbarëvajtjen e projektit sivjet dhe po ashtu edhe vazhdimin e projektit në zgjerimin e rrjetit të “Termokos – it” dhe po ashtu rehabilitimin e nënstacioneve të cilat do ta mundësojnë një ngrohje më kualitative për qytetarët e Prishtinës”, tha z. Ahmeti, duke shtuar se në këtë takim është diskutuar për shumë tema dhe ishte një zotim i përbashkët që do të vazhdojmë bashkëpunimin me Komisionin Evropian, gjithmonë me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Prishtinës për t’ju ofruar atyre shërbime sa më cilësore.
Ndërsa, Përfaqësuesin Special i Unionit Evropian në Republikën e Kosovës, z. Samuel Zhbogar tha se me kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti ka diskutuar për aktivitetet e deritanishme dhe planet e Komunës për këtë vit.
“Kryetari i Prishtinës e përmendi projektin e “Termokos – it”, ne jemi partner, në fakt jemi partner shumë krenar në këtë projekt sepse mendojë se shumë qytetarë të Prishtinës janë duke i gëzuar nga përfitimet e këtij projekti dhe do ta vazhdojmë këtë partneritet. Pallati i drejtësisë është investimi më i madh i Bashkimit Evropian në Kosovë, investim prej 25 milionësh. Ndërtesa është e përfunduar dhe do të hapet zyrtarisht në muajin shkurt. Dhe sic e tha edhe kryetari ne diskutuam edhe për disa çështje lidhur me këtë pallat që kanë të bëjnë me Komunën, janë përgjegjësi e Komunës”, tha z. Zhbogar.
Ai përmendi edhe projektin për emërtimin dhe vendosjen e shenjave në rrugët e Prishtinës që do të shërbejë për orientim një orientim më të mirë në Prishtinë.
Gjithashtu, z. Zhbogar tha se ka qenë shumë i interesuar të dëgjojë edhe për projektet që kryetari Ahmeti planifikon t’i realizojë gjatë këtij viti, siç është projekti për parkingjet e kryeqytetit, projekti për transportin publik, për të cilat tha se janë projekte shumë të rëndësishme, kruciale për qytetin. “Po e shoh që është një plan ambicioz që kryetari dhe Komuna ka për këtë vit, shpresojë se Komuna dhe kompanitë publike do t’ia dalin ta implementojnë me sukses”, tha Zhbogar.
z. Zhbogar, gjithashtu, nënvijëzoi se: siç i thashë kryetarit, ia them edhe qeverisë, ia them të gjithëve, është gjithmonë shumë me rëndësi të kemi njerëz shumë kompetent të cilët vihen në ballë apo kryesojnë projektet sepse këto janë projekte të vështira, janë aktivitete të vështira të cilat kanë nevojë që të kenë njerëz kompetent për t’u marrë me to. Dhe kryetari ka të gjithë mbështetjen tonë të mundshme për ta arritur këtë.
Në pyetjet e gazetarëve, lidhur me reformat e fundit në ndërmarrjet publike, si dhe përpjekjen e bllokimit të këtij procesi nga grupet politike, LDK dhe PDK, kryetari Shpend Ahmeti tha se e rëndësishme mbetet që shërbimi për qytetarët të jetë cilësor dhe projektet mos të ndalen.
“E kemi potencuar shumë herë që këto ndërmarrje janë në borxhe dhe shërbimet nuk janë cilësore, andaj reformimi kërkon që në krye të këtyre ndërmarrjeve të vihen njerëz profesionistë, jo njerëz partiak dhe jo njerëz jo kompetent. Kjo mbetet kërkesë e përhershme e Komisionit Evropian, e donatorëve gjerman, qeveria e Luksemburgut dhe të gjithë ata që kanë investuar në kompanitë publike, janë të interesuar që në krye të këtyre ndërmarrjeve të jenë njerëz kompetent, profesionistë të cilët do të jenë në gjendje që ta bartin gjithë këtë agjendë të reformës, tërë këtë financim sepse janë projekte shumë të mëdha”, tha Ahmeti.