- 19 Jan 2015
Me datën 19 janar 2015, Komuna e Prishtinës ka pranuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilën është aprovuar propozimi për shqiptimin e masës së përkohshme të sigurisë i Komisionit Komunal të Aksionarëve të Komunës së Prishtinës për aksionet në ndërmarrjen publike KRM “PASTRIMI”.
Për këtë, Komisioni Komunal i Aksionarëve në cilësinë e paditësit me datë 13 janar ka parashtruar padinë në të cilën është përfshirë propozimi për masë të përkohshme.
Me aprovimin e kësaj mase, Gjykata ka vlerësuar se zbatimi i vendimit me të cilin i është vazhduar mandati Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes “PASTRIMI” mund të sjellë dëm të pariparueshëm në dëm të interesit të përgjithshëm.
Në këtë drejtim, baza juridike e kontestuar nga Komisioni Komunal i Aksionarëve është pezulluar dhe me këtë rast ushtrimi i pozitës të Kryeshefit Ekzekutiv të KRM “PASTRIMI” nga Feim Salihu konsiderohet se mund të sjellë dëm të pariparueshëm në interesin e përgjithshëm publik.
Komuna e Prishtinës është e vendosur që të mbrojë ndërmarrjet nga kapja e individëve dhe grupeve të interesit, siç është bërë deri më tani. Dhe për këtë do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur interesin e përgjithshëm të Komunës së Prishtinës, që në rastin konkret ka të bëjë me ndërmarrjen në të cilën është pronare absolute e aksioneve të saj.
Bashkangjitur është vendimi i gjykatës për masën e përkohshme të pezullimit të vendimit për vazhdimin e mandatit.