Neo School nga Kino ARMATA / 14 shtator - 16 tetor 2020

- 31 Aug 2020

Neo_School

Kino ARMATA

14 shtator - 16 tetor 2020

Kino ARMATA fillon serinë e projekteve edukative me Neo_School, shkollën joformale një-mujore për prodhimin e filmave të shkurtë dokumentarë. Mes 14 shtator - 16 tetor, gjashtë (6) kandidatët e zgjedhur do të kenë mundësi të dëgjojnë ligjërata mbi aspektet e ndryshme të procesit të filmbërjes së dokumentarëve, prej produksionit, hulumtimit, zhvillimit të skenarit, regjisë, montazhit, audios, etj., nga liderët në fushët e filmit dhe hulumtimit. Pas punës intenzive teorike dhe zhvillimit të idesë për film, çdo pjesëmarrës do të prodhojë nga një film të shkurtë dokumentar 3-5 minutësh. Ata do të sfidohen personalisht dhe në grup me operimin e kamerave, montazhin e filmit, post-produksionin dhe aspektet tjera të procesit të filmbërjes.

PSE NEO_SCHOOL?

Krijimi i platformës së edukimit në Kino ARMATA është vazhdim i logjikshëm i punës tonë dyvjeçare në ndërtimin e bazës kreative për krijuesë, artistë, punëtorë kulturor, etj. Me ndihmën e Agjencionit Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Kino ARMATA është pajisur me kamera, audio pajisje, njësi montazhi, etj. që do t'i mundësojnë të gjithë pjesëmarrësve të Neo_School realizim teknik të filmit të tyre pa asnjë kërkesë shtesë. Ligjëruesit e Neo_School janë liderë në fushat e tyre të ekspertizës, që siguron se pjesëmarrësit do të marrin udhëzime relevante për zhvillimin e ideve dhe bartjen e tyre në medium filmik.

AGJENDA

Gjatë dy javëve të para, pjesëmarrësit e Neo_School do të dëgjojnë ligjërata mbi mënyrën e krijimit të narracionit dhe zhvillimit të skenarit, hulumtimin dhe aspektin gazetaresk të filmit dokumentar, regjinë, punën me kamerë, montazhin, audio incizimin, si dhe aspektet e ndryshme të produksionit. Në tri javët e fundit pjesëmarrësit do t'i realizojnë idetë e tyre nën mentorimin e stafit të Kino ARMATA, përfshirë punën e drejtëpërdrejtë në teren me kamerë, audio pajisje, si dhe më vonë në montazh filmik dhe zhvillim të muzikës. Në fund të këtij cikli pesë-javor do të bëhet prezentimi i filmave dhe ndarja e përvojave nga ky proces.

GJUHA E LIGJËRIMIT

Shqip

KUSH MUND TË APLIKOJ?

Edhe pse parimisht njohja bazike e teknikave të filmbërjes është e mirëseardhur, çdokush që ka aftësi narracioni dhe që mendon se mund ta shndërroj idenë e saj/tij në dokumentar të shkurtë mund të aplikoj. Nuk ka kufizime moshe, përgatitje akademike, ose profesioni, por aplikantët duhet të jenë të gatshëm për punë intenzive ekipore. Orari i ligjëratave dhe prodhimit të filmit do të aranzhohet pas krijimit të grupit 6-anëtarësh.

SI TË APLIKOHET?

Aplikantët duhet që deri më 8 shtator 2020 ta plotësojnë formën e aplikimit për Neo_School në: https://forms.gle/x5je55Mpxwcm6tMo7

Kandidatët potencial do të ftohen për intervistë para fillimit të Neo_School më 14 shtator 2020.

Neo_School përkrahet nga Agjencioni Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Komuna e Prishtinës.