- 21 Jan 2015
Sot, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Administratës, Muhedin Nushi, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kadastrit, Nora Kelmendi, morrin pjesë në aktivitetin “Dita e arkivit”, me ç’rast u prezantua edhe një ekspozitë ku pasqyroheshin dokumentacione dhe fotografi të kryeqytetit.
Me këtë rast, kryetari Ahmeti u shpreh se çdo herë e më shumë po kuptohet rëndësinë e arkivës, jo vetëm për një shtet por edhe për funksionimin e mirëfilltë të një administrate.
“Si shembull konkret është tani procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në Prishtinë. Ne, si Komunë, me ndihmën e arkivës së Prishtinës po e bëjmë regjistrimin e të gjitha lejeve që janë dhënë që nga viti 1950. Këto leje janë ruajt në këtë arkivë dhe tani shumë më lehtë mund t’i identifikojmë se cilat janë ato ndërtime të cilat nuk kanë leje dhe që janë bë prej vitit 1950 prej administratave të ndryshme e cila na e lehtëson punën”, tha Ahmeti.
Sipas tij, arkivat kanë një rëndësi të veçantë edhe ngaqë hulumtues të ndryshëm mund t’i shfrytëzojnë këto dokumente për të kontribuar në historinë e vendit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se do të angazhohet që në të ardhmen të përmirësohen edhe më shumë kushtet e punës së punëtorëve, si dhe do të digjitalizohet arkiva e Komunës së Prishtinës. Ahmeti u shpreh se ka filluar edhe bashkëpunimi midis arkivës së Prishtinës dhe arkivës së shtetit të Republikës së Kosovës dhe në të ardhmen synohet që të krijohet një arkivë edhe më e pasuruar.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Kryeshefi i Agjencisë së Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe drejtori i Arkivës së Shtetit shqiptar, Gjetë Ndoji.
Ndoji tha se ju arkivi është memoria e historisë së një populli, së një shteti dhe historisë tonë të përbashkët. Ai u shpreh se palët janë angazhuar të përdorin të njëjtën terminologji teknike.
“Përderisa ne flasim shqip edhe terma profesionale në arkiva kemi menduar që të jenë të përbashkët të jenë të njëjtë, siç është abetarja për fëmijët në fillimin e edukimit të tyre ashtu të jetë gjithçka e përbashkët përderisa ne jemi një popull që kemi një gjuhë, një histori dhe është gjëja më normale të kemi një fjalor të përbashkët”, tha Ndoji.
Drejtori i Arkivit Komunal të Prishtinës, Abaz Makolli, tha se historiku i zhvillimit të arkivit të Prishtinës, është pjesë e pa ndashme edhe e zhvillimeve të arkivave të tjera në përgjithësi në Kosovë.
Ai tha se Arkivi Komunal i Prishtinës ka gjithsej 12 punëtorë shumica prej të cilëve janë punëtorë të vjetër të Arkivit, ndërsa lënda arkivore është e rregulluar sistemuar klasifikuar më se 90% e sajë dhe arrin një gjatësi prej 1500 metrave.
Arkivit Komunal i Prishtinës është themeluar me 21 Janar të vitit 1969. Është një ndër arkivat më të mëdha në Kosovë.