- 29 Jan 2015
20 aktivistë nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut nga Serbia sot u takuan me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti
Shumica e pjesëtarëve të këtij grupi të studentëve e vizitonin Kosovën për herë të parë. Ata me kryetarin Ahmeti patën rastin të diskutojnë lidhur me tema të ndryshme, kryesisht politike. Në fokus të diskutimeve ishte tema e marrëdhënieve ndërshtetërore midis Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari Ahmeti tha se nuk është kundër dialogut në parim, por kundër dialogut pa parime. Në rrethana kur Kosova ka probleme të shumta me sistemin e drejtësisë dhe korrupsionin ndërsa Serbia ende nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj, dialogimi midis dy shteteve që nuk janë normalizuar përbrenda, është i gabuar. Sipas tij, Serbia fillimisht duhet të merr përsipër të kaluarën e saj dhe të njoh pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të krijohen parakushtet për dialogim. Integrim i mirëfilltë, sipas Ahmetit, është integrimi socioekonomik.
Kryetari Ahmeti i informoi studentët e pranishëm se garën për kryetar të Komunës së Prishtinës e kishte bërë duke u mbështetur në një fushatë solide, kryesisht të bazuar në rrjetet sociale dhe me ndihmën e vullnetarëve dhe se suksesi sipas tij, ishte pikërisht fakti se kampanja ka qenë e koncentruar në kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.
Ai tha se si kryetar, një prej sfidave të para dhe kryesore ka qenë ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe se një gjë e tillë është bërë e mundur 6 muaj pas rezistencave të ndryshme. Ahmeti tha se së shpejti pritet edhe reformimi i transportit publik me autobusë të rinj falë mbështetjes nga Banka Ekonomike për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa ai synon që gjatë mandatit të tij të arrijë që në Prishtinë të ketë qytetar aktiv, i cili do të raportojë dhe do të bashkëpunojë në vazhdimësi me autoritetet komunale për probleme të ndryshme.
Sipas Ahmetit, sa më shumë që zgjidhen problemet që kanë qytetarët, aq më shumë shtohen kërkesat e qytetarëve që është shenjë e rritjes së besimit në Komunën e Prishtinës.