- 05 Nov 2014
Sot, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Financave dhe Pronës, Visar Berisha, mbajti konferencë për media me qëllim të informimit të opinionit lidhur me ecuritë e fundit në raport me projektit e koogjenerimit të “Termokos ”.
Qëllimi i projektit të koogjenerimit, sipas kryetarit Ahmeti, është që të lidhet “Termokos” me termocentralet B1 dhe B2 në mënyrë që të përdoret avulli i krijuar nga këto dy termocentrale dhe të shfrytëzohet për ngrohje që do të mjaftonte për ngrohjen e 80 mijë banorëve të lidhur me ngrohtoren “Termokos”.
Gjatë javës së kaluar kemi pasur takim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik ku kanë qenë të ftuar KEK, KEDS, ZRRE si dhe përfaqësues të kompanisë gjermane IMTECH, implementuese e projektit, nga të cilët është kërkuar një letër të përbashkët ku do të saktësohej kostoja se sa do të kushtojë procesi i shkyçjes së termocentralit B1.
Ahmeti tha se aktualisht ndodhemi në fazën kur pothuajse të gjitha punët janë duke u zhvilluar në funksion të finalizimit të njërit prej projekteve më të mëdha kapitale të kryeqytetit, atë të koogjenerimit. Sipas një letre të përbashkët midis palëve, thuhet se janë dakorduar që termocentrali B1 mund të ndalet me 7 nëntor (e premte), ndërsa puna planifikohet të kryhet deri më datë 18 nëntor, u shpreh Ahmeti.
“Po ashtu na është thënë se fatura do të jetë 4.670.000 euro për këto 12 ditë mosfunksionimi të termocentralit B1. Nuk na është dhënë garanci se çfarë ndodh nëse vazhdohet më tutje, tejkalohet ky afat, megjithatë e japin një garanci verbale. Sot është dita e fundit kur duhet të merret vendimi për këtë çështje për shkak se KEDS-i kërkon tre ditë më parë njoftim që nuk do të ketë rrymë nga KEK-u. Unë nga Qeveria kam marrë letër se ata janë të gatshëm t’i financojnë 2.500.000 euro nga shuma prej 4.670.000 eurosh, ndërsa zyrtarisht kam kërkuar nga Qeveria që ta ndalin termocentralin B1 nga data 7-18 nëntor për shkak se mendojmë që përfitimet që do t’i kemi nga lidhja e koogjenerimit sivjet, do të ishin shumë më e mëdha se sa kostoja që do të paguanim për mazut, e posaçërisht për ngrohjen e qytetit. Ndërsa Komuna e Prishtinës zotohet se do t’i propozojë Kuvendit Komunal që të ndajë pjesën tjetër të mjeteve përmes rregullimit të ndarjeve buxhetore. Njëkohësisht kemi thënë se ne si Komunë nuk do të tolerojmë më shumë se sa 12 ditë pune. Nëse, ta zëmë vjen kompania gjermane IMTECH dhe kërkon disa ditë shtesë, atëherë ne si Komunë nuk e përcjellim atë kërkesë deri tek Qeveria”, tha kryetari Shpend Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu njoftoi se Komuna e Prishtinës për shkak të vonesave së bashku KfW-në do të kërkojë përgjegjësi ligjore se pse kanë ndodhur vonesat në realizimin e projektit, ndërsa shtoi se është duke u planifikuar që me datë 18 nëntor të testohet projekti, ndërsa me datë 24 nëntor të nis ngrohja me koogjenerim.
Ai po ashtu tha se ky projekt i ka edhe rreziqet e veta, për shkak se termocentrali B1 nuk është planifikuar në fillim për koogjenerim, megjithatë janë bërë analizat dhe vlerësohet se mund të bëhet modifikimi dhe të rregullohet koogjenerimi, ndërsa këto punime do t’i bëjë kompania Alstrom nga Franca që është nënkontraktuar nga kompania IMTECH nga Gjermania.
Ahmeti po ashtu deklaroi se punët e paplanifikuara me kohë, me kontratë, e kanë ngritur edhe koston e projektit për 7 milionë euro, pra nga 30 milionë euro në 37 milionë. Nga kjo shumë, Qeveria gjermane është shprehur e gatshme të ndajë 4 milionë euro me kushtin që Komuna e Prishtinës dhe Qeveria të mbulojnë pjesën e mbetur.
Projekti i koogjenerimit, sipas kryetarit Ahmeti do të ulte shpenzimin e energjisë elektrike për 30% në Komunën e Prishtinës, pasi që pjesa më e madhe e banorëve të kryeqytetit do të ngrohej përmes projektit të koogjenerimit.