- 04 Feb 2015
Zotimi i Kryetarit Shpend Ahmeti dhe i ekipit qeverisës në Komunën e Prishtinës, për të rikthyer në funksion zonat e bllokuara nga ndotjet, mbeturinat apo zaptimet ka filluar të realizohet me fillimin e pastrimit të Fushës Pajtimi, ku përveç të tjerave gjenden dhe rezerva ujore.
Komuna e Prishtinës ka larguar mbeturinat inerte në vendin e quajtur “Fusha e Pajtimit”. Së shpejti, kjo pjesë e kryeqytetit që ishte shndërruar në deponi ilegale të mbeturinave inerte, do të shndërrohet në një hapësirë të gjelbëruar, ku do të ndërtohet parku dhe këndi i lojërave për fëmijë.
Paralelisht me largimin e mbeturinave, do të realizohet edhe projekti për gjelbërimin e hapësirave në kryeqytet. Njëjtë është duke u vepruar edhe në zona të tjera në të cilat janë duke u larguar mbeturinat inerte.
Po ashtu, me qëllim të lirimit të hapësirave publike dhe zgjerimit të zonave të gjelbra, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me organizatën “Helvetas Swiss Intercoopertion”, projekti DEMOS, është duke organizuar diskutime publike për funksionalizimin e hapësirave publike, rregullimin e parqeve, platove etj.