Kryetari Ahmeti viziton punimet që po bëhen në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Veternik

- 14 Jul 2021

Sot, kryetari Shpend Ahmeti së bashku me drejtorin e Shëndetësisë z. Bujar Gashi, vizituan vend-punishten në rrugën “Kujtim Laro” të lagjes Veternik, ku po ndërtohet Qendra e parë e Mjekësisë Familjare për këtë zonë.
Kjo qendër pritet të përfundojë në fundvit dhe se përmes saj po shtrijmë tutje rrjetin e shërbimeve shëndetësore publike për qytetarët e Prishtinës.
Ndërtimi i një qendre të tillë ka qenë edhe kërkesë e banorëve të kësaj zone, të cilët deri më tani është dashur të marrin shërbime kryesisht në Kalabri dhe Mat.
Përgjatë dy mandateve të qeverisjes kemi investuar në shëndetësinë publike, fillimisht në infrastrukturën fizike dhe tutje duke ofruar shërbime konkurruese me ato që ofron sektori privat dhe duke mbuluar shumë herë edhe hapësirat e lëna nga Ministria e Shëndetësisë. Shëndetësia dhe shëndeti publik mbeten kryesore për qytetarët dhe investimi në shërbime të mirëfillta publike ofron mundësi të barabartë për qasje në shërbime për të gjithë qytetarët. Si Komunë e Prishtinës kemi punuar në këtë drejtim, dhe së fundmi kemi siguruar edhe Insulinën, si bar esencial, pa pagesë për qytetarët tanë. Po ashtu, kemi menaxhuar me sukses deri më tani, situatën me COVID – 19, duke qenë Komuna e parë që ka ofruar edhe teste serologjike pa pagesë, edhe shërbime shtesë për të prekurit me virusin në Qendrën në Kalabri në mënyrë që të mos ngarkohet Qendra Klinike Universitare dhe qytetarët të kenë mundësi për shërbime sa më të afërta. Po ashtu jemi institucioni i parë publik, që ka realizuar tre studime në lidhje me seroprevalencën e qytetarëve, punonjësve shëndetësor dhe të administratës komunale me COVID -19. Studime për të cilat nuk jemi të obliguar, por kemi konsideruar se janë të nevojshme për të kuptuar situatën me infektimet me COVID – 19, dhe për të planifikuar më mirë hapat tutje.
Nga java e ardhshme ndërkaq, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare do të nisin për herë të parë edhe testet për hormone si: T3, T4, TSH, PSA.