Inaugurohet stacioni i parë për mbushje elektrike për makinat elektrike në Prishtinë

- 23 Jul 2021

Të dashur qytetarë,
Sot së bashku me njërin nga aksionarët e ProCredit Bank, Dr. Klaus-Peter Zeitinger, kam marrë pjesë në inaugurimin e stacionit të parë për mbushje elektrike për makinat elektrike në Prishtinë.
Ky projekt që u realizua me financim të ProCredit Bankë Kosova, është një ndër projektet e Komunës të realizuar në vazhdën e përpjekjeve për mbrojtjen e ambientit dhe vjen pas punës një vjeçare të Prishtinës, që hynë në grupin e qyteteve të BERZH e e që janë pjesëmarrëse të Green City Action Plan – GCAP (planit aksional të qyteteve të gjelbra). Në kuadër të këtij plani, Prishtina pritet të realizojë disa projekte të reja. Do të bëhet rregullimi i energjisë së ripërtëritshme në 47 ndërtesa, dhe deri në fund të vitit do të nënshkruajmë kontratën për 30 autobusë të rinj, 6 prej të cilëve do të jenë elektrik. E kemi nënshkruar dhe jemi para aprovimit të projektit për ngrohje qendrore, projektit të dytë më të madh në Evropën Qendrore për ngrohje me panele solare, që do të ndërtohet në afërsi të Prishtinës dhe është projekt me afro 75 milionë euro dhe që do të jetë projekt me KFW, Qeverinë Gjermane dhe BERZH, me të cilin do të mbulohen të gjitha lagjet që kanë banim individual. Të gjitha këto dhe disa projekte për mbylljen e disa rrugëve dhe krijimit të sa më shumë rrugëve për biçikleta na bënë ne që të jemi në agjendën e shumicës së qyteteve evropiane, e që është pra agjenda e gjelbër.
Ne falënderojmë ProCredit Bank Kosova për bashkëpunimin, ndërkohë që ju informoj se parkingu dhe mbushja elektrike në Prishtina Parking, do të jetë fillimisht pa pagesë për të gjitha ata që kanë makina të plota elektrike.
Së shpejti pritet të inaugurohen edhe gjashtë stacione të reja me mbushës elektrike, dhe në total do të jenë 10 mbushës elektrik deri në fund të mandatit qeverisës.