- 23 Jul 2021
Në kuadër të Projektit “Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Gjithëpërfshirës Ekonomik Rural” (SIRED), sot u bë shpërndarja e pakove për mbështetje bujqësore për fermerët në regjionin e Prishtinës që vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të Komunës së Prishtinës me Zyrën Austriake për Bashkëpunim dhe Caritas-in Zviceran në Kosovë. Përveç përfaqësuesve të institucioneve të lartpërmendura pjesë e ceremonisë ishin edhe fermerët nga regjioni i Prishtinës si dhe Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës” dhe “EuroFruti” si partnerë te projektit.
Përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës nga Drejtoria e Bujqësisë, z. Fexhri Hyseni theksoj se bashkëpunimi në mes të Agjencisë Austriake për Bashkëpunim, Caritas-it Zviceran dhe Komunës së Prishtinës po vazhdon dhe se përkrahja e sektorit të mjedrave dhe fermerëve në Komunën e Prishtinës do të jetë një shembull i mirë që ka potencial për zhvillim të sektorit të bujqësisë.
Ndërsa, drejtoresha e Zyrës Austriake për Bashkëpunim, znj. Sandra Horina theksoi që qëllimi i projektit ka qenë dhe vazhdon të jetë “përkrahja e agrikulturës por edhe ofrimi i përkrahjes për njerëzit për gjenerim të të hyrave vetanake, si dhe ofrimi i ndihmës për familjet që të qëndrojnë dhe kontribuojnë në këtë vend”.