Prishtina dhe Manifesta, rikthejnë vëmendjen tek hapësirat e përbashkëta publike!

- 16 Sep 2021

Komuna e Prishtinës ka kënaqësinë të jetë partner në projektin “Manifesta 14 Prishtinë – Projekti Ballkani Perëndimor:  Bashkëndërtim i Hapësirës së Përbashkët dhe Formimi i Formacioneve të Solidaritetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.

 

Fondacioni Ndërkombëtar Manifesta, nismëtare e bienales së vetme nomade kulturore në Evropë dhe nismëtare e projektit Manifesta 14 Ballkani Perëndimor, po bashkëpunon me Komunën e Prishtinës për të zhvilluar Manifesta 14 Prishtinë e cila do të hapet nga data 22 korrik deri më 30 tetor 2022.

 

Organizuar me rastin e bienales, Manifesta 14 ka ngritur projektin Manifesta 14 Ballkanin Perëndimor i cili synon të zgjerojë shtrirjen dhe kohëzgjatjen e bienalës nomade Evropiane duke zhvilluar një platformë bashkëpunimi ndër-rajonal duke përfshirë një seri të gjerë të aktiviteteve kulturore dhe qytetare në të gjithë rajonin. Një objektivë integrale e projektit është hapja e shteteve të Ballkanit Perëndimor me njëra tjetrën dhe botën, dhe krijimi i një projekti që thyen kufijtë e infrastrukturave dhe rrjeteve të izoluara kulturore.

 

Duke lidhur arkitekturën, planifikimin urban, të drejtat e njeriut, artin dhe kulturën, projekti Manifesta 14 Ballkani Perëndimor synon zhvillimin e një institucioni të ri të përhershëm për artin dhe kulturën në Prishtinë që hulumton, stimulon dhe promovon proceset e pajtimit në rajon.

 

Rrjeti partner i projektit Manifesta 14 Ballkani Perëndimor promovon një politikë të kujdesit midis komuniteteve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor. Institucioni i parashikuar do të adresojë solidaritetin dhe bashkëekzistencën ndër-kulturore dhe do të rrisë qasjen në arte dhe arsim. Për më tepër, projektet synojnë të krijojnë dhe stimulojnë një strukturë më të gjerë të rrjetit ndërkufitar, ku prodhimi i njohurive dhe ekspertiza lokale mund të lulëzojnë.

 

Aktivitetet në procesin e zhvillimit do të jenë rezultat i bashkëpunimeve të ngushta midis Fondacionit Ndërkombëtar Manifesta, Holandës dhe nëntë partnerëve nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa siç e e shihni renditjen më poshtë: Qendra e hulumtimit post- konflikt Sarajevë (PCRC); RRITU (Termokiss) Prishtinë; Muzeu i Artit Bashkëkohor (MOCA) Shkup; Qendra Harabel Tiranë; Instituti APPS Podgorica; OJQ Aktiv Kosova; Meydan D.O.O. (Hestia) Beograd; Fondacioni i Arkitekturës së Kosovës (KAF); Instituti i Artit Bashkëkohor Sofje (ICA); Instituti Evropian Rom për Arte dhe Kulturë (ERIAC) Berlin.

 

Manifesta dhe partnerët e saj do të angazhohen në aktivitete të projektit që mbështeten dhe kultivohen nga audiencat brenda dhe përtej botës së artit, me qëllimin e përbashkët për të krijuar së bashku një model të qëndrueshëm dhe demokratik për një institucion kulturor të përhershëm dhe inovativ të Ballkanit Perëndimor në Prishtinë.

 

Projekti Manifesta 14 i Ballkanit Perëndimor është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.

 

Më shumë rreth Manifestës mund të lexoni në www.manifesta.org.