- 06 Nov 2014
Komisioni Evropian organizoi këto ditë një vizitë në Kosovë të gazetarëve nga media të vendeve anëtare të BE-së
Grupi prej 15 gazetarëve të mërkurën qenë në takim në Komunën e Prishtinës.
Kryetari Ahmeti i njoftoi gazetarët në këtë takim se qytetarët ia dhanë besimin që të jetë Kryetar i Prishtinës, pasi që ai kishte zgjedhur një fushatë të thjeshtë, duke u fokusuar në hallet e përditshme, pa e ekzagjeruar me premtime, por duke u zotuar se do ta përmirësojë jetën e qytetarëve me projekte konkrete dhe të matshme. Si rezultat i kësaj mënyre të qeverisjes vetëm brenda 9 muaj të parë, kemi arritur t’i realizojmë 5 nga 12 zotimet dhe deri në fund të vitit 2015 besojmë si i përmbushim të gjitha.
Kryetari Ahmeti u shpreh se një prej zotimeve të para që ka përmbushur ka qenë ndalja në plotni e ndërtimeve ilegale pasi që ka qenë një prej sfidave kryesore në kryeqytet. Si rezultat i keqqeverisjes në të kaluarën, sot, tha Ahmeti kemi 10 mijë ndërtime ilegale nga 25 mijë objekte banesore.
Sa i përket zhvillimeve të përgjithshme në Kosovë, Kryetari Ahmeti, u shpreh se korrupsioni, ngecja e zhvillimit ekonomik, pabarazia, mosfunksionimi i gjyqësorit janë disa nga sfidat kryesore. Ai tha se jemi shteti i vetëm në Evropë që nuk e ka liberalizimin e vizave, pavarësisht se liberalizimi nuk e zgjidh çështjen e zhvillimit ekonomik, mirëpo, sipas tij, Kosova duhet të ngjaje në një shtet normal që do të krahasohej me Slloveninë, e jo të shihet si Bosnja, Qipro, Pakistani.
Ndërkohë Kryetari Ahmeti iu referua dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë e shembull morri 70 lëndët e dorëzuara në prokurori dhe suspendimin e nëpunësve komunalë që dyshoheshin se janë të përfshirë në afera korruptive. Mirëpo, ai shfaqi brengën për çalimin e sistemit të drejtësisë, sidomos në aferat ku janë të përfshira persona të rangut të lartë. Ai tha se nuk luftohet korrupsioni me agjenci e këshilla që i shpallin luftë formalisht korrupsionit e as me raporte qindra faqesh por me publikim, denoncim e mobilizim gjithëshoqëror e sigurisht me një vullnet politike të ri.
I pranishëm në takim ishte edhe z. Libor Chlad, nga sektori për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë. “Zyra e BE në vazhdimësi ka punuar nëpër tërë Kosovën dhe Komunën e Prishtinës. Bashkimi Evropian ka mbështetur disa nga projekte të cilat kryetari i përmendi. Unë do t’i listojë që ju të keni shembuj konkret. Projekti më i madh që kemi me Komunën e Prishtinës është pallati i drejtësisë me vlerë prej 25 milionë euro. Është kompleks ndërtesash i cili do të akomodojë tërë strukturën e drejtësisë, duke përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Në sferën e shërbimeve sociale, BE ka mbështetur shoqatën HANDIKOS me ndërtimin e një qendre për qëndrim ditor për për persona me nevoja të veçanta dhe persona të moshuar. Projekti kap shifrën prej 200.000 euro. Në fushën e zhvillimit ekonomik jemi duke punuar në projektin e parkingut në parkun "Gërmia" ku jemi duke shikuar të përmirësojmë infrastrukturën. Po ashtu, projekt tjetër është tregu lëvizës që do të lëvizë nëpër lagjet e Prishtinës dhe do t’u mundësojë fermerëve lokal që t’i plasojnë produktet e tyre”, tha z. Chlad.
Gazetarët e pranishëm, gjatë bashkëbisedimit me Kryetarin Ahmeti, shprehën interesimin për tema të ndryshme. Një prej temave ishte edhe çështja e dialogut midisi Kosovës dhe Serbisë. Me këtë rast Kryetari Ahmeti u shpreh se është kundër dialogut pa parime. Ai tha se ka ardhur koha që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj, të kompensojë dëmet e luftës dhe t’i kërkojë falje popullit të Kosovës, pra, të dëshmojë se ajo ka ndryshuar, e jo të vazhdojë të udhëhiqet nga njerëz që ishin në shërbim të sistemit diktatorial të Millosheviqit. Pra, sipas Ahmetit për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, parakusht mbetet që Serbia të normalizohen nga brenda, e më pas të flitet për normalizim marrëdhëniesh edhe me Kosovën. Sipas tij, në këtë fazë, Kosova duhet të zhvillojë bisedime me Bashkësinë Evropiane se si ta luftojë nivelin e lartë të korrupsionit, papunësinë, migrimin e shqiptarëve të Kosovës, të punohet me projekte konkrete që sjellin zhvillimin ekonomik, sic është zhvillimi i tregut vendor, etj.