- 05 Feb 2015
Nënkryetari i i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu se bashku me udhëheqësin e grupi të këshilltarëve komunal të Lëvizjes Vetëvendosje!, Ylli Hoxha, mbajtën një konferencë për media me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me zhvillimet në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Nënkryetari Sejdiu tha se sot në Kuvendin Komunal të Prishtinës ishte një tentativë e rradhës e kapjes së ndërmarrjeve publike nga ata njerëz që i kanë pasur këto ndërmarrje publike për 15 vite dhe me këtë të bllokohet zhvillimi i projekteve shumë të rëndësishme për qytetin e Prishtinës.
“Ju e dini që ne për vitin e parë të qeverisjes kemi arritur të ndërtojmë raporte jashtëzakonisht të mira me institucionet financiare ndërkombëtare në mënyrë që të vazhdohet puna në rimëkëmbjen dhe rivitalizimin e Ndërmarrjeve Publike Lokale. Sikurse edhe në seancën e jashtëzakonshme, sot është shpërfaqur dëshira e një grupi të vogël të LDK ‘së, i cili e ka keqpqërdorë, e ka keqshfrytëzuar Prishtinën për 15 vite me radhë në mënyrë që të akomodojë interesa biznesi, personale dhe të ndryshme dhe jo të përfaqësojë interesat e qytetarëve të Prishtinës.
Sipas Sejdiut, në fund të seancës kur ai e ka kërkuar fjalën nga kryesuesi Halim Halimi, fjala i është dhënë dhe në momentin që është bërë transparente skema e lidhjeve familjare të zyrtarëve të lartë të LDK’së, kryesuesi i seancës e ka ndërprerë fjalën e tij.
Ai tha se lidhjet familjare që janë prezantuar sot janë vetëm disa të shumtat që këta zyrtarë të LDK’së i kanë, e nuk paraqesin në tërësi lidhjet e tyre biznesore dhe familjare.
Gjatë kësaj konference nënkryetari Sejdiu paraqiti një skemë ku figuronin emrat e familjarëve të këshilltarëve të LDK’së të cilët janë të punësuar në Ndërmarrjet Publike Lokale, gjë që paraqesin konflikt interesi. Sejdiu u shpreh se për vite të tëra, ndërmarrjet publike janë shfrytëzuar nga një grup njerëzish të LDK’së si ndërmarrje private.
“Kapja e një qyteti nga një pushtet nuk duket ndryshe. Dhe këto grupe duan të vazhdojnë me këtë kapje. E keni parasysh se asnjë ndërmarrje publike, që është menaxhuar nga këto familje për 15 vite, nuk është profitabile pasi që kanë me miliona eruo borxhe të ndryshme. E tash, duke e parë se këto ndërmarrje do të rivitalizohen, duke e parë se jemi duke ecur me projekte shumë shpejt përpara, kanë vendosur që t’i kapin në mënyrë që të bllokohet Prishtina. Normalisht, kjo nuk do të lejohet. Beteja për Prishtinën është vendosur nga vota e qytetarëve të Prishtinës dhe fitorja e kryetarit Shpend Ahmeti”, tha Sejdiu.
Ndërsa, udhëheqësi i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje! Ylli Hoxha tha se në fillim të seancës këshilltari komunal i PDK – së, Lirak Celaj, bëri kërkesë që fillimisht të zëvendësohen anëtarët e bordit të akscionarëve të cilët dhanë dorëheqje nga radhët e PDK’së, ndërsa më pas ajo kërkesë u transformua në shkarkim të përgjithshëm të anëtarëve të bordit të ndërmarrjeve publike dhe emërim të zyrtarëve të rinj.
“Brenda diskutimit se nëse duhet ose jo të futet kjo çështje në rend të ditës, kërkuam nga kryesuesi Halim Halimi që nga lista e nepotizmit, e identifikuar deri më tani nga Komuna, ngaqë nuk janë identifikuar ende edhe shumë emra të tjerë, të identifikohen rastet ku 10 asambleistët e përfshirë në debat, kanë konflikt interesi lidhur me këtë temë. Për secilin prej tyre deponova një shkresë duke iu referuar dy ligjeve: Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili është specifik në kërkesa kur një zyrtar lartë ka konflikt interesi për një çështje, nuk guxon të përfshihet në debat. Të njëjtën gjë e thotë edhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale, neni 38. E në situatë të tillë, në seancën e Asamblesë Komunale kanë qenë 10 këshilltarë komunal. Kryesuesi do të duhej të reagonte ndaj kësaj kërkese dhe të kërkonte nga këta asambleistë largimin e tyre nga salla kur diskutohet lidhur me këtë çështje e në asnjë mënyrë nuk është dashur të lejojë të kundërtën”, tha Hoxha.
Sipas Hoxhës, asnjë informacion nuk i është dërguar asambleistëve pas momentit të ndërprerjes së seancës, për t’i lajmëruar se seanca do të vazhdojë ndërsa njëkohësisht nuk është informuar as ekzekutivi i Komunës së Prishtinës për vazhdimin e seancës. Pra, një seancë e tillë është vazhduar madje pa u konsultuar kryesuesi i seancës as me kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe grupet e asambleistëve. Ai shtoi se ishte kërkesë e të gjitha grupeve të përfaqësuara në Kuvend, hiq LDK – në dhe PDK – në, që kjo seancë të shtyhet.
“Vendimi i seancës së LDK – së dhe PDK – së, e jo të asamblesë, është jo ligjor mbi këto dy baza: sepse është thirr seancë jashtë normave dhe ngaqë në vendimmarrje kanë marrë pjesë 10 këshilltarë komunal përfshirja e të cilve në votim paraqet konflikt të hapur interesi”, tha Hoxha.
Hoxha tha se të gjitha këto dokumente do të procedohen në Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal dhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit sepse paraqesin shkelje flagrante të zyrtarëve të lartë të shtetit të cilët nuk guxojnë të përfshihen në vendimmarrje ku kanë konflikt interesi, gjë që sanksionohet me ligj. Ai u shpreh se do të presin përgjigjet e tyre dhe shpresojnë që shteti të reflektojë brenda ligjit, e nëse nuk reflektohet, sipas tij, atëherë do të konfirmohet hipoteza e shumëpërfolur të kapjes së shtetit ku nuk mund të flitet për demokraci, por për autoritarizëm me ç’rast organet e shtetit dirigjohen nga politika.