- 31 Dec 2021
Të dashur qytetarë,
Të dashur banorë të Prishtinës, brenda dhe jashtë vendit,
Ka qenë ky një tjetër vit sfidues dhe i vështirë për shkak të kushteve të krijuara nga pandemia.
Përjetuam dhimbjen e humbjes së njerëzve tanë më të dashur.
U dëmtuan ekonomitë familjare dhe u prek vetë mirëqenia e qytetarëve. Na u cunguan jeta kulturore dhe aktivitetet zbavitëse e sportive.
Megjithatë, shpirti juaj rezistent dhe gëzimdashës gjeti mënyra me i dalë krah tjetrit, me dhënë, me guxu, e mos me u gjunjëzu përballë sfidave, por me mbetë kryelartë e optimist.
Ta dua këtë shpirt të sinqertë e të dashur, Prishtinë, është mburoja jote më e fortë kundrejt sfidave më të rënda.
Mesazhi im për këtë natë të ndërrimit të moteve është mësimi që marr prej jush: veç me mirësi, guxim e punë shumë, do t’ia dalim, duke qenë të bashkuar e krah për njëri-tjetrin. Është ky mesazh i paqes dhe i dashurisë që uroj t’jua mbushë zemrat, sot e për çdo mot. Gëzofshim shëndet mbi të gjitha, e paçim gëzime e harmoni në familjet tona.
Gëzuar Vitin e Ri 2022!