- 06 Feb 2015
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti gjatë nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me UN – Habitat i informoi të pranishmit se tashmë janë përgatitur njëzet projekte për gjelbërimin e hapësirave të pashfrytëzuara dhe se paraprakisht ato janë duke u diskutuar me qytetarët, para se të kalojnë në fazën e realizmit.
Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me organizatën “Helvetas Swiss Intercoopertion”, projekti DEMOS, ka planifikuar projekte për hapësirat ekzistuese publike, revitalizimin e tyre ose formimi i hapësirave të reja.
Në diskutimin publik për parqet dhe shëtitoret që ndodhen në zonën “Qendër”, u prezantuan projektet për hapësirat e pashfrytëzuara që ndodhet në afërsi të AKP – së, e cila është pronë komunale me një sipërfaqe prej 8000 m2, sheshi “Adem Jashari” që ndodhet në afërsi të objektit të Komunës së Prishtinës, si dhe shëtitorja e cila ndodhet tek Banka Qendrore e Kosovës “BQK”.
Hapësira tek AKP – ja ka një sipërfaqe për banim prej 4360 m2, ndërsa sipërfaqe të atriumit 4000 m2. Qëllimi është që përgjatë tërë perimetrit të parcelës të bëhet ndërtim, i cili për shkak se ndodhet në kuadër të zonës historike, nuk lejohet ndërtim i lartë, por vetëm P+1 me destinim të kombinuar. Një pjesë planifikohet të shfrytëzohet për banim, sipas planit ideor të studentëve të Fakultetit të Arkitekturës, ndërsa pjesa tjetër do të jetë e hapur dhe mund të përdoret për treg, ndërsa në plan janë të përfshira edhe tezgat ku do të ekspozohet produktet. Sipërfaqja e dyqaneve, sipas këtij projekti, parashihet të jetë 1.330 m2, ndërsa sipërfaqja e tregut është 3.250 m2. Ndërsa, sipërfaqja e gjelbër do të jetë 4.000 m2. Meqenëse është një pjesë shumë e frekuentuar e qytetit të Prishtinës, në bazë të projektit është paraparë edhe vendi për 400 parkingje vetëm në një nivel. Pjesa për banim, që është projektuar si hapësirë e hapur, i është përshtatur arkitekutrës që e karkaterizonën zonën e vjetër të Prishtinës. Në mes të hapësirës së gjelbër, sipas këtij projekti është planifikuar edhe një fontantë.
Studentët e Fakultetit të Arkitekturës prezantuan edhe propozimin për rregullimin e sheshit që ndodhet në afërsi të objektit të Komunës së Prishtinës. Gjatë prezantimit, u tha se sipas gjendjes aktuale është evidentuar se ky shesh hyrjen e poshtme është bllokuara nga veturat e parkuara, ndërsa gjelbërimi ka degraduar në masë të madhe, ndërsa dyshemeja është e dëmtuar në pjesën më të madhe të sheshit. Po ashtu, rampat ekzistuese janë të ngushta dhe pa mbajtje, ndërsa vërehet edhe mungesa e shportave. Sipas planit ideor te studentëve të bazuar në këto analiza, sheshi “Adem Jashari”, përmes së cilit parashihet rregullimi i pjesës së shkallëve, është paraparë vendosja e mbajtësve dhe zgjerimi i rampave që të mundësohet kalimi edhe për personat me aftësi të kufizuara, personave me biçikleta, vendosja e trupave ndriçues, zona e mbjellë me lule, etj. Ky shesh është paraparë që të funksionojë në mënyrë adaptibile, duke iu përshtatur stinëve dhe motit, andaj është paraparë vendosja e kiosqeve, të cilat do të përdoren për veprimtari biznesi, por edhe shitje të librave, luleve dhe njëkohësisht këto biznese do të ngarkoheshin edhe për mirëmbajtjen e karrigeve pranë dhe do të përkujdeseshin për sheshin në përgjithësi. Për shkak të simetrisë së sheshit, po ashtu kjo hapësirë është adaptibile edhe për ngjarje të ndryshme kulturore, artistike apo sportive, me ç’rast është paraparë hapësira për projektorë.
Lidhur me këtë shesh, kishte propozime nga më të ndryshme nga qytetarët e pranishëm, të cilët ishin të interesuar për detaje dhe e mirëpritën transformimin e një hapësire të tillë në një shesh atraktiv për kryeqytetin.
Njëkohësisht, gjatë këtij diskutimi u prezantua edhe projekti i tretë për rregullimin e parkut që ndodhet në afërsi të BQK’së që ndodhet përballë Pallatit të Rinisë. Kjo hapësirë e lirë dhe pa ndonjë destinim të caktuar, është menduar të shfrytëzuar si park dhe shëtitore pasi që ndodhet edhe në qendër të qytetit. Në këtë pjesë do këtij qyteti do të vendoset një shtatore. Në këtë hapësirë planifikohet të ketë disa qasje, në mënyrë që të jetë sa më funksionale pasi që ndodhet në qendër dhe ka shumë frekuentim të qytetarëve. Njëkohësisht, në këtë shtigje janë paraparë ulëse, trupa ndriçues, shporta për mbeturina dhe gjithë infrastruktura përcjellëse për një shëtitore në të cilën do të mbillen shumë drunj.
Qytetarët e pranishëm kërkuan që kjo hapësirë e gjelbëruar të jetë e bllokuar për automjete, ndërsa të parashihen vetëm rastet e emergjencave. Po ashtu, kërkuan që të parashihet edhe mundësia e lidhjes së shëtitores me sheshin Zahir Pajaziti, në mënyrë që të jetë sa më praktike për kalimtarët.