- 07 Nov 2014
Në shkollën fillore dhe e mesme e ultë, “Dardania” që nga e hëna, është duke u zhvilluar konkursi plotësues për 33 pozita të lira në të gjitha shkollat dhe institucionet parashkollore.
Për 33 pozita kanë aplikuar mbi 500 aplikues. Komisioni fillimisht i ka vlerësuar të gjitha dokumentet dhe në bazë të kritere të përcaktuara janë përzgjedhur kandidatët që kanë hyrë në listë të ngushtë.
Pasi që janë shqyrtuar ankesat dhe janë plotësuar kriteret ligjore, kanë filluar punën tre komisione për të bërë intervistimin e kandidatëve.
Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci gjatë vizitës së saj në shkollat ku është duke u zhvilluar intervistimi i kandidateve është shprehur se një prej sfidave kryesore në këtë konkurs mbetet listimi i kandidatëve sipas udhëzimit administrativ 9/2014, në bazë të të cilit përcaktohet se cilat fakultete kanë prioritet për pozita të caktuara, gjë që shkakton edhe ankesa të palëve të interesuara.
“Për shkollat e mesme të ulëta përparësi në listim kanë ata kandidatë që kanë përfunduar Fakultetin e Edukimit dhe kjo shpesh po krijon huti tek kandidatët e tjerë që kanë kryer studimet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore ose të tjera”, tha drejtoresha Nagavci gjatë vizitës së saj për të parë nga afër procesin e intervistimit.
Ashtu siç parashihet me ligj, gjatë intervistimit, janë të pranishëm edhe përfaqësuesit e këshillit drejtues të shkollës, i përbërë nga prindërit dhe mësimdhënësit, ndërsa janë të njoftuara edhe organizatat e shoqërisë civile që merren me çështjet e arsimit.
Në intervista si pjesë e panelit është edhe një ekspert i arsimit, një zyrtar i Drejtorisë Komunale të Arsimit, si dhe drejtori/esha e shkollës përkatëse.