- 26 Feb 2015
Komuna e Prishtinës njofton se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e ka konfirmuar pjesërisht ligjshmërinë e vendimit të mbledhjes së jashtëzakonshme të muajit janar në të cilën është diskutuar për raportimin e ndërmarrjeve publike, siç ka kërkuar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe siç janë dakorduar edhe asambleistët e Kuvendit Komunal.
Sipas përgjigjes së MAPL, raportimi ka qenë i rregullt, ndërsa pjesa e dytë, kërkesa në momentet e fundit nga ana e kryesuesit të Kuvendit Komunal për pezullimin e vendimeve lidhur me ndërmarrjet publike, është rrëzuar nga ana e Ministrisë pasi që, sipas tyre, një gjë e tillë nuk është e ligjshme dhe si rrjedhojë nuk ka asnjë lloj të efektit juridik.
Tani, pasi që është konfirmuar raportimi, kryetari i Komunës së Prishtinës i bënë ftesë kryesuesit të Kuvendit Komunal që të diskutojë me aksionarët që janë të emëruar nga Kuvendi Komunal dhe të raportojnë para Kuvendit Komunal të Prishtinës, ashtu siç ka qenë kërkesë e këtij Kuvendi.
Risjellim në vëmendje se pas mbajtjes së mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal në muajin janar, përmes një konference për media, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti pati deklaruar se kryesuesi i Kuvendit Komunal, Halim Halimi, është munduar që jashtëligjshëm ta kontrabandojë termin pezullim i cili nuk ekziston ligjërisht dhe as si mundësi për të ndalur veprimin e ndërmarrjeve publike.
“Është krijuar një tension i pashpjegueshëm gjatë ditëve të fundit për të ardhur sot në mbledhje. Sot në mbledhje të jashtëzakonshme, pavarësisht se nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme, kërkuan që të raportojnë aksionarët për punën e ndërmarrjeve komunale. Ligji për ndërmarrjet publike e specifikon, neni 8, paragrafi 2, që komitetet e aksionarëve raportojnë në baza vjetore. Në mbledhjen e fundit, Kuvendi Komunal, ka vendosur që ky raportim të bëhet në muajin mars të vitit 2015, por në të njëjtën kohë nuk e pamë të arsyeshme që të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme për ta bërë një kërkesë për të raportuar sepse këtë kanë mundur ta bëjnë edhe më një kërkesë të thjeshtë. Në mbledhje, pasi që u thanë shumë gjëra, ne në fund u dakorduam që në mbledhjen e parë të raportohet mbi veprimet e fundit që i kanë ndërmarrë komitetet e aksionarëve dhe pastaj të diskutohet. Në minutën e fundit, kryesuesi i kuvendit, Halim Halimi, tha të votojmë për raportim dhe pezullim të vendimeve, tash e tutje deri në mbledhjen e ardhshme, pikë e cila nuk u diskutua fare dhe aty u shkaktua një rrëmujë sepse dolën nga salla të gjithë ata që kishin kundërshtime ose nuk donin të votonin dhe përveç faktit se në mbledhje të jashtëzakonshme nuk guxon të ndryshohet rendi i ditës, nuk guxon të propozohet diçka si mocion që nuk ka qenë që në fillim të mbledhjes së jashtëzakonshme, natyrisht se ky veprim përpos që nuk kishte kuorum, njëkohësisht është edhe veprim i jashtëligjshëm”, pati deklaruar asokohe kryetari Ahmeti.