- 05 Jul 2022
Është mbajtur takimi i parë i grupit punues të mandatuar për zhvillimin e studimit të fizibilitetit dhe planit të menaxhimit për qendrën historike të Prishtinës.
Plani i Menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës synon të definojë mënyrat e konservimit, ruajtjes, zhvillimit dhe promovimit të qendrës historike të Prishtinës e cila përcaktohet si zonë me vlerë të trashëgimisë, në mënyrë që të transmetohet tek brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Po ashtu të analizojë dhe kuptojë, nëpërmjet përfshirjes së akterëve dhe hisedarëve të ndryshëm, forcat e ndryshimit dhe ndryshimet që ndodhin në aspektin kulturor, mjedisor dhe socio-ekonomik në mënyrë që të mundësohet mbrojtja, përmirësimi dhe zhvillimi i koordinuar dhe i përbashkët, të identifikojë qëllimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata në lidhje me ruajtjen dhe zhvillimin e zonës, si dhe strategjitë dhe veprimet ‘inovative’ për arritjen e tyre.
Grupi punues që udhëheqë këtë proces përbëhet nga institucionet vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, komunës së Prishtinës, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, organizatave të shoqërisë civile të profilizuara në trashëgimi kulturore dhe planifikim hapësinor, programit të UN-Habitat-it në Kosovë dhe institucioneve tjera.
Ky projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë, synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor për zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës.