- 03 Mar 2015
Sot, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia, vizituan Qendrën e Pediatrisë dhe Shërbimin Stomatologjik pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) për të parë nga afër renovimet e bëra në këto objekte.
Me këtë rast, kryetari Ahmeti tha se projekte të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen me qëllim të modernizimit të plotë të qendrave në të cilat ofrohen shërbimet shëndetësore.
“Krahas përmirësimit të kushteve teknike, Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar edhe në ngritjen e kapaciteteve dhe kualiteteve të shërbimeve shëndetësore”, tha Ahmeti.
Ndërsa, drejtori Arben Vitia tha se ka qenë i domosdoshëm renovimi i disa objekteve të institucioneve shëndetësore që veprojnë në kuadër të kujdesit të shëndetit parësor në Prishtinë me qëllim të përmirësimit të shërbimeve që i ofrojnë këto qendra.
“Në përfundim e sipër është procesi i renovimit të 5 qendrave të mjekësisë familjare. Sot, bashkë me kryetarin Ahmeti kemi ardhur të vizitojmë Shërbimin e Pediatrisë dhe të Stomatologjisë ku tashmë ka përfunduar renovimi. Siç edhe jeni dëshmitarë, tashmë këto hapësira janë shumë më funksionale dhe moderne. Gjithashtu, janë krijuar ambiente më miqësore sidomos për fëmijët”, tha Vitia, i cili shtoi se kjo është vazhdimësi e projektit për përmirësimin e kushteve teknike dhe funksionale për profesionistët shëndetësor në mënyrë që të ofrojnë shërbime sa më kualitative.