- 06 Mar 2015
Sot, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti bashkë me nënkryetarin, Dardan Sejdiu, dhe udhëheqësen e kabinetit, Fitore Pacollin, pritën në takim ministrin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në Republikën e Shqipërisë, Erion Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në këtë takim, kryetari Ahmeti e njoftoi ministrin Velijaj lidhur me projektet e realizuara gjatë vitit të parë të mandatit të tij qeverisës, si dhe ato që planifikohen të realizohen në të ardhmen.
“Si komunë, jemi në fazën e fundit të realizimit të projektit përmes të cilit planifikohet punësimi i të rinjve që janë në përfundim të mësimit në shkollat profesionale. Fillimisht, pas diplomimit ata do të vendosen si praktikant në sektorin privat, në mënyrë që t’ju krijohen parakushtet për punësim. Kjo bëhet me qëllim që të krijohet lidhja midis 8 shkollave profesionale në Komunën e Prishtinës dhe sektorit privat. Gjithashtu, kemi planifikuar edhe mbështetjen dhe hapjen e vendeve të reja të punës në sektorin e shërbimeve transferuese për nevojat e tregut global në fushën e teknologjisë informative”, tha kryetari Ahmeti.
Ministri Velijaj, e njoftoi kryetarin Ahmeti për reformat e tregut të punës, pagesat sociale, pensionet, reformën e shkollave profesionale.
Gjatë këtij diskutimi, u diskutua lidhur me mundësinë e bashkëpunimit në fushën e rinisë, respektivisht për qendrat e karrierës dhe aftësimit profesional. Ministri Velijaj e ftoi kryetarin Ahmeti për një vizitë në Tiranë me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit në të ardhmen.