Komuna e Prishtinës e përkushtuar në mirëmbajtjen e rrugëve

- 08 Mar 2015

Pas reshjeve të fundit të borës, ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit si dhe Drejtorisë së Inspekcionit janë në terren, të gatshme për të intervenuar në çdo kërkesë të qytetarëve.

Në tërë territorin e Komunës së Prishtinës të gjitha kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve janë në terren dhe janë mobilizuar të gjitha kapacitetet për pastrimin sa më të shpejtë të të gjitha rrugëve të Prishtinës, e veçanërisht të rrugëve lidhëse në fshatrat e Komunës së Prishtinës ku problemet me rrugë janë më të theksuara.
Pas shkëputjes së kontratave me kompanitë që nuk ishin në nivelin e tyre të detyrës, në zonat rurale janë angazhuar kompanitë “Toifor” dhe “Zahiri”, si dhe ndërmarrja publike “Hortikultura”. Ndërmarrja Publike lokale Hortikultura ka angazhuar fuqi punëtore, makina të vogla dhe mjete motorike për ti pastruar trotuaret siç kanë bërë edhe kompanitë e tjera private.
Njoftojmë qytetarët se përkundër vështirësive shkaku i kushteve atmosferike të pafavorshme, Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar në mirëmbajtjen e rrugëve dhe zhbllokimin e rrugëve në zonat rurale. Gjithashtu, nuk janë të rralla rastet kur rrugët bllokohen sërish nga bora edhe pas pastrimit nga ana e kompanive, siç ishte edhe rasti në fshatin Koliq dhe në Sharban, rruga për Rimanishtë. Mirëpo, Komuna e Prishtinës është e përkushtuar që qytetarëve t’ju ofrojë kushte që tua mundësojnë atyre qarkullimin në këtë mot, si dhe do ta shtojnë angazhimin për tejkalimin e këtyre vështirësive.
Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më Komunën e Prishtinës si dhe për çdo vështirësi që kanë të lajmërohen në numrin 038 245 666.
Kompanitë kanë për obligim mirëmbajtjen e përafërsisht 308 rrugëve të kryeqytetit.