- 20 Feb 2023
QËLLIMI
Thirrja ka për qëllim caktimin e orarit të punës për subjektet afariste në sektorin e gastronomisë, si dhe parandalimin dhe shmangien e efekteve të dëmshme, duke përfshirë bezdisjen e qytetarëve, si rezultat i ekspozimit të zhurmës së krijuar si pasojë e ndotjes akustike nga sektori i gastronomisë brenda kufijve administrativ të Kryeqytetit.
Kjo thirrje bëhet për të gjitha subjektet afariste si kafenetë, restorantet, baret, klubet e natës dhe të gjitha hapësirat e gastronomisë në kuadër të lokaleve që ushtrojnë veprimtari të ndryshme, për vendosjen e pajisjes për matjen e nivelit të zhurmës në sektorin e gastronomisë në territorin e Kryeqytetit.
KUSHTET E APLIKIMIT
Subjektet afariste me rastin e aplikimit duhet të dorëzojnë:
- Kopjen e certifikatës së biznesit;
- Kopjen e certifikatës së pronës ose kopjen e kontratës mbi qiranë
- Kopjen e letërnjoftimit të pronarit/es të biznesit;
- Kopjen e letërnjoftimit të menaxherit/es së subjektit që do të jetë pikë kontakti për këtë aplikim;
- Kopja e faturës së rrymës për muajin paraprak (dëshmi adrese);
- Email adresa dhe numri i telefonit të menaxherit/es së subjektit
Kryeqyteti do të sigurojë pajisje për matjen e zhurmës për çdo subjekt afarist të sektorit të gastronomisë sipas hapësirës së nevojshme për të mbuluar dhe njëkohësisht do të pajisë subjektin me certifikatë me të cilën përcaktohet:
- orari i punës për subjektin afarist të gastronomisë;
- niveli i decibelëve të lejuar sipas vlerave të përcaktuara në shtojcën e rregullores;
- data e lëshimit kur hyn në fuqi matja e nivelit të zhurmës në pajtim me procedurat, si dhe kushtet tjera eventuale të përcaktuara me dispozitatat e rregullores;
PAGESA
Subjekti afarist obligohet që në marrjen e çertifikatës të paguajë taksën e njëhershme, në vlerë prej 180 euro për çdo pajisje, që mbulon shpenzimet e pajisjes dhe mirëmbajtjes së saj sipas rregullores në fuqi.
AFATI I APLIKIMIT
Aplikimi mund të bëhet nga data 20.02.2023 deri me datën 13.03.2023 në ora 16:00, në sportelin nr.1, kati përdhesë, objekti i vjetër i Komunës apo Online duke klikuar në linkun: https://apliko.ndotja-akustike.com/
Nëse keni nevojë për informata apo sqarime shtesë, ju lutem shkruani në adresën elektronike: Sektorizhvillimit.pr@rks.gov.net;