- 19 Mar 2015
Në shkollën “Meto Bajraktari”, nxënësit e kësaj shkolle prezantuan projektin “Emigrimi i shqiptarëve nga Kosova”, me ç’rast u dhanë statistika dhe u paraqitën disa prej arsyeve kryesore të migrimit të shqiptarëve në periudha të ndryshme kohore.
Të pranishëm në këtë prezantim ishin prindërit e nxënësve, mësimdhënësit, zyrtarë të Drejtorisë Komunale të Arsimit, përfaqësues të ambasadës finlandeze, etj.
Sipas këtij hulumtimi, një prej fakteve më shqetësues është se që nga koha e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, viti 2014 ka shënuar numrin më të madh të atyre që janë larguar nga Kosova, respektivisht 30.000 persona janë larguar nga vendlindja për shkak të humbjes së shpresës për një të ardhme më të mirë.
Pas prezantimit, në një fjalë rasti, drejtoresha e Drejtorisë Komunale e Arsimit, Arbërie Nagavci përgëzoi nxënësit, mësimdhënësit dhe menaxhmentin e shkollës për punën e tyre, si dhe falënderoi prindërit për bashkëpunim dhe mbështetjen.
Nagavci theksoi se Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar për përmirësimin e kushteve për mësimdhënie.
“Vitin e kaluar kemi intervenuar në infrastrukturë dhe kemi pajisur shkollat me kabinetet e fizikes, biologjisë dhe kimisë. Gjatë këtij viti, në shkolla do të vendosen pajisjet teknologjike në mënyrë që nxënësve t’iu mundësohet puna praktike dhe në të njëjtën kohë do të përkrahet edhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve”, tha Nagavci.
Me këtë rast, shkollës “Meto Bajraktari” iu dhuruan edhe 3 vëllime të fjalorit enciklopedik shqiptar.