- 10 Nov 2014
Sot, Kuvendi Komunal me kërkesë të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti mbajti mbledhjen urgjente ku unanimisht u aprovua pika e vetme e rendit të ditës, “Propozimvendimi për lejimin e mjeteve financiare për realizimin e Projektit të koogjenerimit – përmirësimi i ngrohjes qendrore në Prishtinë”.
Me këtë rast kryetari Ahmeti foli për rëndësinë e projektit të koogjenerimit, si dhe i njoftoi këshilltarët komunal të pranishëm lidhur me ecurinë e deritanishme të këtij projekti.
“Ideja për realizimin e projektet të koogjenerimit ka qenë që të bëhet lidhja e dy gjeneratorëve të termocentralit B1 dhe B2, të cilat do të lidheshin me "Termokos"-in dhe më nuk do të përdorej mazutin për ngrohje, i cili prej momentit që është themeluar "Termokos"-i, çmimi i tij është tejmase. Projekti i koogjenerimit sjellë edhe deri tek reduktimi i shpenzimit të energjisë elektrike në Komunën tonë. Vlerësohet se do të kursehen energji elektrike 25-30% nga konsumi i përgjithshëm në Komunën e Prishtinës, mirëpo edhe do të përmirësohej ngrohja e banorëve të kryeqytetit”, tha Ahmeti.
Projekti i koogjenerimit është duke u zhvilluar në tre faza, me ndihmën e Komisionit Evropian, qeverisë gjermane, qeverisë suedeze, qeverisë së Luksemburgut, Komunës së Prishtinës dhe KfË-së, e cila ka qenë si këshilltar kryesor i Ndërmarrjes "Termokos".
Fazat e projektit janë: lidhja fizike dhe softuerike me B1 dhe B2, riparimi i nënstacioneve të "Termokos"-it dhe zgjerimi i rrjetit të qytetit për furnizimin me ngrohje nga koogjenerimi edhe për 20 mijë banorë të tjerë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës tha se të premten (7 nëntor 2014) në mesnatë është ndalur termocentrali B1 dhe se nëse çdo gjë do të shkojë në rregull me datë 18 nëntor termocentrali B1 do të lëshohet sërish, ndërsa me datë 24 nëntor, pas testimeve, do të duhej që ta kemi ngrohjen me koogjenerim.
Ahmeti njoftoi se gjatë vitit kanë ndodhur disa shtyrje të realizimit të projektit të cilat kanë qenë si subjekt i kontestit midis të Ndërmarrjes "Termokos" dhe kompanisë implementuese, IMTECH nga Gjermania, ndërsa, gjithashtu u shpreh se së bashku me KfË-në do të kërkojnë përgjegjësi ligjore për cilëndo vonesë që është shkaktuar.