- 31 Oct 2023
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina edhe zyrtarisht ka kandiduar që të shpallet si “Qytet evropian i sportit” për vitin 2024.
Komisioni vlerësues evropian, ACES Europe ka qëndruar për dy ditë në Prishtinë ku ka inspektuar dhe vlerësuar situatën në lidhje me infrastrukturën sportive dhe qëllimi kryesor i kësaj kandidature është që të gjitha aktivitetet sportive që zhvillohen vitin e ardhshëm në Prishtinë të promovohen edhe nëpr vende të tjerave evropiane.
Me këtë rast, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, e cilësoi shumë të rëndësishëm këtë titull për Prishtinën.
“Kemi mirëpritur këto ditë komisionin vlerësues të ACES Europe për të parë nga afër terrenet tona sportive, angazhimin tonë për fitimin e këtij titulli si dhe mikpritjen e madhe të prishtinasve. Kjo kandidaturë e Prishtinës nuk është thjesht aspiratë për një tjetër titull. Ajo përbën një shpallje të hapur, dhe është zotim i qartë për ta krijuar një qytet që përqafon shëndetin, gjithëpërfshirjen dhe elanin sportiv.
Ky titull është katalizatori që na duhet për ta sjellë këtë të ardhme premtuese” – ka deklaruar kryetari Rama.
Ndërkohë që anëtari i komisionin vlerësues nga Evropa, Hugo Alonso u shpreh shumë i bindur dhe madje i impresionuar më atë që ka parë me profilin sportiv që ka parë në Prishtinë dhe se meriton që ta fitojë titullin “Prishtina qytet evropian i sportit”
Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Sport në Komunën e Prishtinës Granit Rugova theksoi se benefitet më të mëdha nëse Prishtina e fiton këtë titull, do të jetë promovimi i ngjarjeve sportive edhe në arenën ndërkombëtare.