Ahmeti: Së shpejti nis ndërtimi i rrugëve Bërnicë e Ultë – Mazgit dhe Barilevë – Breznicë

- 25 Mar 2015

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryetari i Komunës së Kastriotit, Xhafer Gashi e nënshkruan një memorandum bashkëpunimi përmes së cilit parashihet ndërtimin i rrugëve Bërnicë e Ultë-Mazgit dhe Barilevë – Breznicë me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Komunës së Prishtinës dhe Komunës së Obiliqit.

“Sot kemi kënaqësinë që me kryetarin e Komunës së Kastriotit të nënshkruajmë dy marrëveshje për dy rrugë të cilat i lidhin fshatrat e Prishtinës me fshatrat e Kastriotit dhe me këtë rast do të zgjidhet një problem jashtëzakonisht i madh. E para është rruga që e lidh fshtin Barilevë me fshatin Breznicë në Komunën e Kastriotit. Banorët e këtyre dy fshatrave, në mungesë të rrugës që i lidh ndërmjet vete, janë detyruar që të kalojnë nëpër rrugë të tjera që janë shumë më të gjata. Kjo ka qenë kërkesë së pari e banorëve të Breznicës të cilët e kanë drejtuar kryetari i Komunës së Kastriotit, i cili më pas ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të bëjmë një bashkëpunim për ta ndërtuar këtë rrugë sivjet. Ndërsa, rruga e dytë është rruga e cila e lidh fshatin Bërnicë e Ultë me fshatin Mazgit në Komuënn e Kastriotit. Kjo ka qenë një kërkesë e kamotshme e fshatit Bërnicë e Ultë me shumicë të komunitetit serb, të cilët nuk e kanë pasur lidhjen me një fshat tjetër”, tha me këtë rast kryetari Ahmeti.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Kastriotit Xhafer Gashi tha se i është shumë mirënjohës Komunës së Prishtinës.
“Edhe në takimet e mëhershme që i kemi pasur në aspektin e bashkëpunimit midis dy komunave ka qenë një bashkëpunim i mirëfilltë. Ne e falënderojmë shumë Komunën e Prishtinës edhe për projektin e ujësjellësit Breznicë – Kozaricë, gjithashtu për “Rrugën e Shkabajve”, trotuarin që kalon nga Barileva në Milloshevë dhe shumë projekte të tjera të përbashkëta. Është shumë e vërtetë që Kastrioti është një Komunë që ka pasuri me të cilat krenohet e tërë Kosova, por që fatkeqësisht për shkak të ndotjes së ambientit, për shkak të infrastrukturës së dobët më së keqi e përjetojnë qytetarët që jetojnë aty. Andaj, i jemi shumë falënderues në këtë rast kryetarit të Komunës së Prishtinës, stafit të kryetarit që gjithmonë në bashkëpunim janë duke realizuar projekte të ndryshme të cilat janë në dobi të qytetarëve të të dy Komunave”, tha Gashi.

Kryetari Ahmeti në fund të këtij takimi tha se ndonëse gjithnjë flitet për ligjin për kryeqytetin, dëshiron ta shfrytëzojë rastin që edhe një herë t’i bëjë thirrje edhe Kuvendit të Republikës së Kosovës që të kalohet sa më shpejt edhe ligji për Komunën e Kastriotit, me ç’rast do të rregulloheshin në mënyrë ligjore disa nga gjërat që janë të domosdoshme për banorët e Komunës së Kastriotit.