- 15 Nov 2023
Një ekip profesional vendor e ndërkombëtarë i përbërë nga personalitete dhe kontribues të kulturës dhe turizmit do të punojnë për krijimin e Strategjisë gjithëpërfshirëse të artit dhe kulturës, e cila do të sjellë ndryshime pozitive dhe inovative në Prishtinë.
Strategjia për Kulturë të Kryeqytetit ka për qëllim mbështetjen financiare për artin dhe kulturën, ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore, promovimin e diversitetit kulturor, edukimin dhe angazhimin e komunitetit, ndërtimin e hapësirave kulturore dhe artistike, bashkëpunimin me sektorin privat dhe ndër hapat më të rëndësishëm është përdorimi i teknologjisë për të për të shpërndarë dhe promovuar artin dhe kulturën nëpërmjet rrjeteve sociale, platformave dixhitale dhe inovacioneve teknologjike të tjera.
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Arta Balaj, hartimin e kësaj strategjie e ka konsideruar hap shumë të rëndësishëm për kulturën e Kryeqytetit.
" Strategjia për kulturë e kryeqytetit është një nga shtyllat kryesore për të promovuar, mbrojtur dhe zhvilluar kulturën në një kryeqytet. Kjo strategji përfshin një gamë të gjerë të veprimeve dhe politikave që kanë për qëllim të pasurojnë dhe të zhvillojnë jetën kulturore të qytetit, komunitetit artistik dhe qytetarëve tanë" - ka deklaruar drejtoresha Balaj.
Eksperti kryesor i hartimit të Strategjisë për Kulturë është Philip Kern, i cili ka njohuri të thella në fushën e kulturës dhe zhvillimit strategjik. Ai është një ekspert ndërkombëtar i tregut të muzikës dhe industrive të tjera kreative, është Drejtor Ekzekutiv dhe themelues i organizatës KEA European Affairs, e cila ofron kërkime, këshillim dhe konsulencë në fushën e politikave kulturore dhe kreative në nivel evropian. Ka hartuar dokumente strategjike për kulturë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.