- 12 Dec 2023
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarët e Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi, Lipjanit, z.Imri Ahmeti, z.Xhafer Gashi të Obiliqit dhe nënkryetarët e Fushë Kosovës, z.Besnik F Osmani dhe z. Leutrim Ajeti të Graçanicës.
Përmes kësaj marrëveshjeje ndërkomunale Kryeqyteti Prishtina do të bashkërendojë aktivitetet në tetë fusha ku përfshihen shumë çështje, shëndetësia, mirëqenia sociale, ajo e menaxhimit të mbeturinave, qenëve endacakë, transportit publik, sportit e sigurisë, me anë të cilave do të krijohen lehtësira për mirëqenien e qytetarëve të kryeqytetit dhe këtyre komunave.
Në marrëveshjen kornizë të bashkëpunimit ndërkomunal, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama tha se do të diskutohen në thellësi problemet kyçe të këtyre komunave.
“Do të diskutojmë së bashku në thellësi si për marrëveshjen, ashtu edhe mbi disa çështje dhe probleme kyçe të cilat jemi ballafaquar gjatë këtyre dy vjetëve dhe që po vazhdojnë të na sfidojnë edhe sot, siç janë problemet me qen endacakë, problemi i menaxhimit të mbeturinave, me theks ndërkomunal këtu por edhe problemi i Trafikut Urban gjithashtu me theks të bashkëpunimit ndërurban. Deri tash kryeqyteti ka ndarë rreth dy milionë euro për trajtimin e qenve endacakë, duke përfshirë edhe përcaktimin e parcelës dhjetë-hektarëshe për ndërtimin e parkut kafshëve, për të cilën patëm biseduar edhe në konferencën e parë dhe që parku i kafshëve do të duhej të na shërbente të gjithëve së bashku”, shtoi kryetari Rama.
Ndërsa, Meghan McCormack nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Kosovë (OSBE) tha se marrëveshjet ndërkomunale janë mekanizëm i rëndësishëm për qeverisjen lokale.
“Me këtë marrëveshje ofrohet një mundësi e mirë bashkëpunimi për të adresuar çështjet e përbashkëta, siç janë për shembull përfitimet në lidhje me çështjet e qenve endacakë. Shërbime më efiçiente për menaxhimin e mbeturinave në shkallë ekonomike dhe shërbimet që tejkalojnë kufijtë administrativ, siç janë trafiku urban. Siç e di edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në momentin që realizohet një marrëveshje ndërkomunale në përgjithësi, ekzistojnë edhe mundësitë të qasjes në fonde shtesë”, u shpreh zonja McCormack.
I pari i kryeqytetit, Përparim Rama theksoi se kjo marrëveshje do të paraqesë një shembull të mirë të bashkëpunimit të komunave.