Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit midis Komunës së Prishtinës dhe BERZH–it

- 27 Mar 2015

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Komuna e Prishtinës kanë bashkuar forcat për të përmirësuar infrastrukturën komunale në kryeqytetin e Kosovës.

Sot u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në Londër nga Drejtori Menaxhues i BERZH - it për Infrastrukturë, Thomas Maier, dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Përmes këtij memorandumi identifikohen fushat tematike siç janë transporti urban, shërbimet e ujit dhe ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave të ngurta dhe dritat e qytetit. Gjithashtu, në fokus është edhe përmirësimi i efikasitetit të energjisë për ndërtesat publike siç janë shkollat, spitalet dhe ndërtesat administrative.

Projekti i parë, nën këtë partneritet, i cili do të përtërij numrin e autobusëve të kryeqytetit tashmë është në një fazë të avancuar.

“Jemi të gëzuar të zgjerojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm me autoritetet e Kosovës tutje në kryeqytetin e vendit për të ndihmuar përmirësimin e infrastrukturës së saj. Ne tanimë kemi identifikuar fushat e rëndësishme ku ekspertiza e BERZH mund të kontribuoj në implementimin efikas të projekteve komunale. Projektet tona do të jenë në të mirë të të gjithë banorëve të Prishtinës. Kjo është në bërthamë të asaj që bëjmë, ka thënë Drejtori Menaxhues për Infrastrukturë i BERZH, Thomas Maier.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti shprehi kënaqësinë e bashkëpunimit me BERZH-in me qëllim të ngritjes së efikasitetit të shërbimeve komunale si dhe përmirësimit të infrastrukturës në kryeqytet.
“Ne besojmë se kjo do të përmirësojë jetët e njerëzve dhe partneriteti ynë me BERZH-in do të ketë ndikim pozitiv në jetën e çdo banori të Prishtinës”, tha kryetari Ahmeti.

BERZH ka filluar të investojë në Kosovë në vitin1999. Deri më tani, janë nënshkruar 39 projekte, me një përmbledhje neto të vëllimit të biznesit prej më shumë se 124 milionë euro.
Republika e Kosovës është bërë anëtare dhe vend i operimit të BERZH - it në dhjetor të vitit 2012.