- 24 Jan 2024
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka prezantuar para bizneseve projekte të cilat kanë për synim transformimin e kryeqytetit. Prezantimi i tillë i projekteve është parë si mundësi e mirë për realizimin e vizionit për një Prishtinë të transformuar në shumë fusha, si, aspektin e infrastrukturës, ambientit urban, qasjes në teknologji dhe shërbimeve publike.
Para qindra bizneseve, Rama prezantoi Stacionin e Autobusëve në Prishtinë si projekt të parë.
“Shumica prej juve e dini që ky projekt është në zemër të Prishtinës. Është një zonë prej 15.5 hektarësh, e cila është shumë pak e shfrytëzuar”, deklaroi Rama.
Kryerari Rama tutje tregoi se synohet që të krijohet një stacion i ri i autobusëve bashkë me parking nëntokësor.
“Ne synojmë që me këtë projekt ta transformojmë dhe ta krijojmë një stacion të ri të autobusëve me parking nëntokësor. Kjo është ajo që i nevojitet kryeqytetit. Planifikimi ynë ka qenë që këtë zonë prej 15.5 hektarësh ta ndajmë në nëntë parcela dhe që investitorët potencialë të kenë mundësinë të fokusohen në një, dy apo të gjitha parcelat” - ka shtuar Rama.
Më tutje Rama tregoi gjendjen ekzistuese të "Stacionit të Autobusëve" teksa prezantoi edhe një konceptualizim të zonës se si do të mund të dukej.
“Total parashihet që ky investim të jetë në vlerën prej 920 milionë euro”, tha i pari i kryeqytetit.
Projekti i dytë që e prezantoi kryetari është Parku Industrial që ndodhet në Bërnicë.
“Kemi disa kompani që kanë shprehur interesim për të ardhur në Prishtinë e për të investuar dhe për të krijuar vende të reja të punës” tha ai.
Projekti tjetër është Fshati Olimpik, për të cilin Kryeqyteti ka bërë masterplanin për këtë zonë.
“Kemi mundësi të shumta. Kemi kaluar me hapa të shpejtë në transformimin e kësaj zone. Në këtë zonë që është rreth 60 hektarëshe, një pjesë është e komunës e pjesa tjetër e qeverisë. Ne kemi bërë disa propozime që tash të lëvizim me hapa të shpejtë rreth transformimit të kësaj pjese për realizimin e infrastrukturës sportive për Fshatin Olimpik. Investimi i përafërt në këtë zonë është 250 milionë euro”.
Projekti tjetër Tulltorja Art-Tek, të cilin Rama e quajti “diamant ende i pagdhendur mirë”. “Është në qendër të kryeqytetit. Tulltorja ka një trashëgimi arkitektonike prej pas Luftës së Dytë Botërore. Është zonë me 4.5 hektarë. Investimi këtu parashihet të jetë rreth 15 milionë euro. Mendoj se ky investim është i vogël në krahasim me ndikimin që do të ketë për kryeqytetin”.
Tjetër projekt i rëndësishëm është edhe ai për Kino Rininë.
“Është një ndërtesë e mbrojtur përkohësisht ku disa prej elemneteve të brendshme aty synohen të mbrohen. Ka mundësi që kjo zonë të zhvillohet më shumë”.
Rama po ashtu prezantoi edhe projektin për mbikalimin që lidh lagjen Arbëria me Pallatin e Rinisë. “Është një projekt që e kam premtuar dhe faktikisht i cili mundëson transformimin e kryeqytetit”, u shpreh ai.
Kryetari Rama para investitorëve potencial poashtu prezantoi projektet për "Tregun e Gjelbër", Tuneli në rrugën "Agim Ramadani", "Pallati i Rinisë", "Tregu i Ulpianës", Projekti për Energji në Ulpianë, 6 parkingjet nëntokësore, etj.