- 28 Jan 2024
Kryeqyteti Prishtina tashmë do të ketë revistën e vet të kulturës, “PrishtinArt”, magazinë kulturore institucionale e cila përmbanë 200 faqe, ku përfshihen intervista me ikonat e Prishtinës, në muzikë, art e kulturë.
Do të gjeni artikuj dhe recensione të ngjeshura me pasion dhe njohuri, të shkruara nga disa prej mendjeve më të ndritura në fushën kulturore.
Revista deri tani ka 3000 kopje të cilat do të shpërndahen falas në institucione publike, aeroport, dhe agjenci fluturimesh. Përveç formës së shtypur, revista do të jetë e qasshme për të gjithë edhe në formen digjitale përmes QR code.
Në lansimin e saj për publikun, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, theksoi rëndësinë e kësaj reviste për Prishtinën.
“Kjo revistë është një pasqyrë e pasurisë kulturore dhe krijimtarisë që gjendet në zemrën e qytetit tonë. Ky botim i ri vjen si një platformë e rëndësishme për të shfaqur dhe promovuar diversitetin e madh kulturor të Kryeqytetit. Me një fokus të veçantë në artet, historinë, trashëgiminë, si dhe zhvillimet bashkëkohore në skenën kulturore, revista synon të jetë një burim i pasur informacioni dhe frymëzimi për banorët dhe vizitorët e qytetit tone” – ka deklaruar Kryetari Rama.
Ndërsa drejtorja e Drejtorisë për Kulturë, Arta Balaj, tha se përmes kësaj interviste qytetarët do të njoftohen për shumë ngjarje kulturore në Kryeqytet.
“Do të shërbejë edhe si një kalendar kulturor, për të gjithë artdashësit, vendor dhe të huaj, e konceptuar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. PrishtinArt, përballë sfidave teknologjike, do të jetë një arkiv kombëtar, ku do të ruajmë gjatë dhe për breza të tjerë, profile personalitetesh, që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin shpirtin kultures shqiptare. PrishtinArt është një guidë e vërtetë, e cila shpalos kryeqytetin në të gjithë dimensionet e tij, qoftë turistik dhe gastronomik, falë edhe bashkëpunimit të mirë me Unionin e Turizmit të Kosovës” – theksoi Balaj.
Revistën kultuore mund ta gjeni në institucionet publike dhe po ashtu online përmes QR Code dhe vegëzës: PrishtinArt, nr. 1, janar 2024