- 01 Feb 2024
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, në emër të Kryeqytetit Prishtina, nderoi me mirënjohje dhe “Hyjneshën në Fron” për kontributin e dhënë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Prishtinë dhe Republikën e Kosovës, ushtarin italin të KFOR-it, Fabio Carlone.
Carlone ka shërbyer në gjashtë misione të ndryshme në Republikën e Kosovës në periudha të ndryshme kohore.
Kryetari Rama vlerësoi lart angazhimin e tij si paqeruajtës në Prishtinë e Kosovë.
“Gjatë kohës së tij këtu, Fabio u përball me shumë sfida, një ndër më të mëdhatë duke qenë edhe beteja e tij me një sëmundje të rëndë. Por, me kurajon e shpirtin e tij luftarak, ai jo vetëm që e mundi këtë sëmundje, por edhe vendosi të kthehet në Kosovë për të vazhduar misionin e tij. Fabio na frymëzon të gjithë neve duke na rikujtuar edhe njëherë se vendosmëria dhe forca shpirtërore mund të triumfojë mbi çdo sfidë” – theksoi kryetari Rama.
Ushtari Carlone falënderoi kryetarin Rama për mirënjohje dhe “Hyjneshën në Fron”, si dhe në shenjë falënderimi i dha një pllakë ku shpreh kënaqësinë që ka shërbyer në Prishtinë e Kosovë për “ringjalljen e popullit” të Kosovës.