Kryetari Rama bashkë me nënkryetaren Lushaku inspektojnë punimet të cilat po bëhen në renovimin e objektit të Gjimnazit të Shkencave Shoqërore "Ahmet Gashi"

- 15 Feb 2024

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren dhe u.d e drejtores së Drejtorisë së Arsimit, Jehona Lushaku, inspektuan punimet që po bëhen në renovimin e tërësishëm të objekti të Gjimnazit të Shkencave Shoqërore “Ahmet Gashi” në Prishtinë.

Kjo vizitë ka vënë në dukje progresin e bërë në transformimin e këtij objekti mësimor. Ky projekt i madh renovimi do të sjellë një ndryshim rrënjësor në mjedisin arsimor të këtij institucioni, ku mësojmë 1300 nxënës.


Renovimi i plotë i gjimnazit, i mbështetur financiarisht nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vlerën e 985.000 eurove, do të ofrojë ambiente të reja dhe të përshtatshme për mësim, hapësira të dedikuara për edukimin fizik dhe mundësi për aktivitete të ndryshme extrakurrikulare. Ky investim ka për qëllim të krijojë një hapësirë arsimore moderne që përgjigjet nevojave dhe sfidave të sotme të edukimit të rinisë.


“Sot pamë se si ky projekt transformues do të ndikojë pozitivisht në cilësinë e mësimit dhe në përvojën arsimore të nxënësve tanë,” tha Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama.

“Faleminderit Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre të çmuar në realizimin e këtij projekti vital” – shtoi ai.


Renovimi pritet të përfundojë brenda afateve të caktuara, duke u bërë model për projekte të tjera arsimore në të ardhmen.


Ky projekt jo vetëm që do të përmirësojë kushtet fizike për nxënësit, por edhe do të nxisë përmirësimin e proceseve mësimore dhe të ofrojë mundësi të reja për zhvillimin e tyre personal dhe akademik.