Takime Frytdhënëse në Katar, Markojnë Hapat e Ardhshëm për Investime në Prishtinë

- 26 Feb 2024

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, po merr pjesë në delegacionin e lartë nga Republika e Kosovës, i udhëhequr nga Presidentja Vjosa Osmani në vizitën zyrtare në Doha, Katar, me qëllimin për të thelluar marrëdhëniet dhe për të eksploruar mundësitë e reja të investimeve.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni pati nderin të zhvillojë takime me dy figura kyçe të shtetit të Katarit: Emirin, Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, dhe Kryeministrin, Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman Bin Jassim Al Thani. Diskutimet u përqendëruan në potencialin e investimeve në Prishtinë dhe në përgjithësi në Republikën e Kosovës, duke vënë theksin në rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Një moment kyç i vizitës ishte takimi i Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit të Katarit për Zhvillim, z. Khalifa Jassim Al-Kuwari. Gjatë këtij takimi, u diskutua për mundësitë e financimeve të projekteve të rëndësishme në kryeqytet, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës, arsimin dhe shëndetësinë. Kryetari Rama e ftoi z. Al-Kuwari të vizitojë Prishtinën për të vlerësuar nga afër projektet potenciale dhe për të diskutuar hapat konkretë të bashkëpunimit.

Vizita në Katar shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve bilaterale dhe hapjes së rrugëve të reja për investime të huaja në Kosovë, të cilat do të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.