Kuvendi i Kryeqytetit Organizon Seancë Solemne në Përkujtim të Epopesë së UÇK-së dhe Heroit Adem Jashari

- 05 Mar 2024

Kuvendi i Kryeqytetit ka mbajtur një seancë solemne për të nderuar dhe kujtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe veçanërisht sakrificën e Heroit të Kombit, Adem Jashari, i cili shihet si personifikim i luftës për liri dhe drejtësi.

Në këtë ngjarje, e cila u mbajt në ambientet e Kuvendit të Kryeqytetit, pjesëmarrës nga të gjitha spektrat e shoqërisë, përfshirë përfaqësues nga organizatat e veteranëve, zyrtarë lokalë, dhe qytetarë të ndryshëm, u mblodhën për të dëgjuar dhe për të shprehur mirënjohjen ndaj sakrificës së atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.

Kryetari i Kryeqytetit, në fjalën e tij, bëri një krahasim të fuqishëm mes Adem Jasharit dhe Prometeut, figura mitologjike që simbolizon guximin dhe sakrificën për të mirën e përgjithshme.

"Qëndresa e Adem Jasharit na vjen bash sikur të ishte një jehonë e guximit të Prometeut legjendar, që guxoi të sfidojë edhe vet perënditë," tha Kryetari, duke theksuar më tej se, "sikurse Prometeu, edhe Adem Jashari iu përball një sistemi të shtypur, jo me fuqi hyjnore por me shpirtin e pa mposhtur të atij që refuzon të nënshkruhet."

Shtoi se emri i Adem Jasharit dhe vendet e quajtura pas tij në kryeqytet, si Sheshi Adem Jashari, Kazerma Adem Jashari dhe Aeroporti “Adem Jashari”, janë simbole të gjalla të ndikimit të thellë që ka lënë ky hero në idealin kombëtar.

Gjithashtu, gjatë seancës ishte i pranishëm edhe Fatmir Sopi, përfaqësues nga Organizata e Veteranëve të Luftës në Prishtinë, i cili theksoi rëndësinë e mbajtjes së gjallë të kujtimit të atyre që sakrifikuan për liri.

Seanca u mbyll me një moment reflektimi dhe respekti për të gjithë ata që kontribuan në luftën për lirinë e Kosovës, duke premtuar se brezat e ardhshëm do të vazhdojnë të ruajnë dhe të nderojnë këtë trashëgimi të çmuar.