- 06 Mar 2024
Në një akt nderimi dhe respekti, Kryetari i Kryeqytetit realizoi një vizitë në varrezat e familjes Jashari, ku prehen anëtarët e familjes së heroit legjendar Adem Jashari. Kryetari i bëri nderimet e tij duke vendosur kurora lulesh dhe duke përkujtuar kontributin dhe sakrificën e jashtëzakonshme të familjes Jashari në luftën për lirinë e Kosovës.
Pas vizitës në varrezat e familjes Jashari, Kryetari pati rastin të takojë dhe të bisedojë me bacën Rifat Jashari, vëllai i heroit Adem Jashari. Kjo vizitë simbolizon njohjen dhe vlerësimin e përpjekjeve dhe sakrificave të familjes Jashari për pavarësinë e vendit.
Mëngjesin e së njëjtës ditë, Kryetari vizitoi varrezat e dëshmorëve në Velani, ku nderoi kujtimin e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Ai vendosi kurora lulesh dhe u përkul me respekt para varreve të dëshmorëve, duke rikonfirmuar përkushtimin e qytetit për të nderuar dhe kujtuar sakrificat e tyre.
Aktivitetet përkujtimore u përmbyllën me një vizitë te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, ku Kryetari vendosi lule dhe u nderua me një minutë heshtje. Kjo veprimtari simbolizon respektin dhe mirënjohjen e përhershme të Kryeqytetit ndaj atyre që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kryetari nënvizoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të kujtimit të heroëve dhe dëshmorëve, duke e cilësuar atë si një përgjegjësi kolektive për të ruajtur dhe përçuar vlerat e lirisë dhe pavarësisë për brezat e ardhshëm.