- 07 Mar 2024
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama nderoi dhe falënderoi mësimdhënësit për kontributin e tyre të çmuar, jo vetëm brenda klasave, por edhe përtej tyre, në formimin e të ardhmes së shoqërisë sonë. Në një ceremoni të veçantë, 38 mësimdhënës u nderuan me mirënjohje si simbol i respektit dhe vlerësimit për punën dhe dedikimin e tyre.
Mësimdhënësit janë udhëzues dhe ndonjëherë edhe mbështetës jashtë rolit prindëror, duke ofruar një ndikim që shkon përtej detyrave të tyre kurrikulare. Ata janë një burim frymëzimi dhe orientimi për nxënësit, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë jo vetëm njohuri, por edhe vlera dhe karakter.
Kryeqyteti gjithashtu vlerëson dhe njeh kontributin thelbësor të stafit administrativ dhe teknik, të cilët luajnë një rol kyç në mbështetjen e procesit mësimor dhe në sigurimin e një ambienti të përshtatshëm për edukimin e brezit të ardhshëm.
Në këtë Ditë të Mësuesit, ne theksojmë se mësimdhënësit janë jo vetëm formësues të dijes, por edhe skulptorë të të ardhmes, duke ndikuar në mënyrë të palëkundur në zhvillimin e individëve që do të udhëheqin dhe do të formojnë shoqërinë e nesërme. Ne ju falënderojmë mësimdhënësit për pasionin, përkushtimin dhe dashurinë që sjellin çdo ditë në punën e tyre, duke e bërë Kryeqytetin një vend më të mirë për të gjithë.