Nënshkruhet marrëveshja mes Kryeqytetit dhe MZHR për bashkëfinancimin e projektit për hidroizolimin, termoizolimin dhe ndërhyrjen në xhama në Pallatin e Rinisë

- 11 Mar 2024

Kryeqyteti është në prag të një transformimi të rëndësishëm për Pallatin e Rinisë, një nga objektet më emblematiske dhe me vlerë të kryeqytetit. Falë një marrëveshjeje të arritur mes Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama me Ministrin e Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka, së shpejti do të nisin punimet për hidroizolimin, termoizolimin dhe rregullimin e xhamave të këtij objekti.

Ky projekt, i cili do të zbatohet në disa faza, synon të përmirësojë ndjeshëm efikasitetin e energjisë dhe të krijojë një ambient më të shëndetshëm dhe më komod për të gjithë përdoruesit e Pallatit të Rinisë. Përmes këtyre ndërhyrjeve, objekti do të bëhet më rezistent ndaj kushteve meteorologjike, do të ulë kostot e energjisë dhe do të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit.

Nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëfinancimin e këtij projekti tregon përkushtimin e Kryeqytetit dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për të investuar në infrastrukturën e qytetit dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.

Rruga drejt një Kryeqyteti më të qëndrueshëm dhe më të gjelbër është tashmë e hapur. Ndërsa punimet pritet të nisin së shpejti, ne do të vazhdojmë të ju mbajmë të informuar për progresin dhe zhvillimet e mëtejshme.