- 14 Mar 2024
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, po merr pjesë si mysafir nderi në Konferencën e Prodhimit dhe IT, e cila po mbahet në Linz të Austrisë.
Ky eveniment po shërben si platformë për të theksuar potencialin e lartë të Prishtinës si një qendër industriale dhe teknologjike në zhvillim.
Në këtë Konferencë tre kompani të njohura nga Prishtina janë prezente, duke demonstruar inovacionin dhe aftësitë konkurruese të kryeqytetit në skenën ndërkombëtare.
"Pjesmarrja jonë është një mundësi unike për të treguar potencialin që Prishtina posedon si një qendër e ardhshme e prodhimit dhe teknologjisë, dhe si një vend atraktiv për investimet e huaja" - ka deklaruar Kryetari Rama.
Kryetari Rama bëri të ditur se kompani të mëdha ndërkombëtare si KEBA kanë shprehur interes të madh dhe janë duke e konsideruar seriozisht Prishtinën si vendndodhje për të ngritur impiante prodhuese gjigante.
"Ky interes nga aktorë të mëdhenj ndërkombëtarë është një dëshmi e qartë e besimit në potencialin ekonomik dhe teknologjik të kryeqytetit"- shtoi Rama.
Kryetari Rama falënderoi Kryetarin e Linz, z. Klaus Luger, për ftesën dhe për një bashkëpunim të shkëlqyeshëm ndërmjet dy qyteteve.
Ky bashkëpunim simbolizon jo vetëm miqësinë e fortë mes Linzit dhe Prishtinës, por edhe vlerësimin e potencialit të Prishtinës në fushat e prodhimit dhe IT-së.
Bashkëpunimet dhe investimet e tilla premtojnë të sjellin rritje ekonomike dhe të krijojnë mundësi të reja të punësimit për qytetarët e Prishtinës.