- 15 Apr 2024
Të hënën kanë filluar punimet për fazën e dytë të projektit të Unazës Qendrore, e cila do të lidhë pjesërisht lagjen "Arbëria" me qendrën e kryeqytetit. Ky projekt, i cili kap vlerën e mbi 3 milionë euro, pritet të përfundojë brenda një afati 120-ditor.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili doli në terren bashkë me drejtorin e Drejtorisë për Investime Kapitale dhe Menaxhimin e Kontratave, Krenar Xhaferi, e cilëson këtë projekt si thelbësor për lehtësimin e trafikut urban.
"Sot jemi duke ndërlidhur Arbërinë me unazën e madhe që rrethon kryeqytetin. Ky veprim do të sjellë një ndryshim të madh në lëvizshmërinë në këtë pjesë dhe do të ndihmojë në lehtësimin e trafikut," tha Rama.
Projekti, i quajtur si një nga më ambiciozët për kryeqytetin, synon të ofrojë një infrastrukturë më të qëndrueshme dhe të përshtatshme për këmbësorë dhe mjete të ndryshme transporti.
"Me këtë projekt, do të kemi një qasje më të lehtë dhe më të sigurtë për të gjithë qytetarët që lëvizin drejt dhe nga qendra e kryeqytetit," shtoi ai.
Kryetari Rama premtoi gjithashtu se punimet do të përfundojnë sipas planit dinamik 120-ditor, duke shmangur çdo vonesë që mund të ndodhë, sikurse ka ndodhur në projekte të tjera. "Kemi një plan të qartë dhe të detajuar, dhe jemi të vendosur të respektojmë afatet e parapara për të ofruar këto përmirësime jetësore për banorët e Prishtinës," përfundoi ai.