Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama mirëpriti në Prishtinë kryetaren e Sarajevës, Benjamina Karić

- 15 Apr 2024

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, priti sot në një takim zyrtar një delagacion nga Bashkia e Sarajevës të udhëhequr nga Kryetarja, Benjamina Karić . Takimi u zhvillua në ambientet e komunës së Prishtinës, ku dy liderët shkëmbyen dhurata simbolike, duke theksuar miqësinë dhe respektin e ndërsjellë.

Gjatë takimit, të dy kryetarët diskutuan për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy qyteteve në fusha të ndryshme si arti, teknologjia dhe sporti.

Kryetari Rama i dhuroi Kryetares Karic një simbol të rëndësishëm kulturor të Prishtinës, skulpturën “Hyjneshën në Front”, si një shenjë të mirënjohjes dhe mikpritjes.

"Është një kënaqësi të diskutojmë për të ardhmen e bashkëpunimit tonë me Sarajevën, një qytet me të cilin ndajmë shumë vlera dhe tradita," tha Rama.

"Këto biseda janë thelbësore për të ndërtuar ura të reja ndërmjet komuniteteve tona dhe për të promovuar këmbimin kulturor dhe ekonomik."

Nga ana e saj, Kryetarja Karić shprehu entuziazmin e saj për vizitën e parë në Prishtinë dhe vlerësimin për mikpritjen e ngrohtë.

"Jam e nderuar që jam këtu sot dhe e vlerësoj thellësisht lidhjet që po krijojmë. Prishtina dhe Sarajeva kanë shumë të përbashkëta, dhe ky takim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve tona," u shpreh ajo.

Në përfundim të takimit, të dy kryetarët bënë thirrje për vizita të ndërsjella, duke theksuar rëndësinë e ndarjes së përvojave dhe zgjerimit të bashkëpunimit në të ardhmen.